Bajrami: Qeveria të ulë urgjentisht taksat në karburante

17:02 | 22 Mars 2026
E.G

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës në vend, i cili ka arritur në 1.71 euro për litër, duke ngritur shqetësime për ndikimin në ekonominë familjare dhe atë të bizneseve.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Bajrami ka vënë në pikëpyetje efektin e “tavanit” të vendosur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“A po ju duket i drejtë ‘tavani’ i çmimit të naftës?”, ka pyetur ajo qytetarët, duke shtuar se çmimi i karburanteve ndikon drejtpërdrejt në çmimet e produkteve të tjera.

Sipas saj, për një vend si Kosova, që varet nga importi, çmimi i naftës reflektohet në të gjithë ekonominë.

“Në vitin 2025, Kosova ka importuar mbi 7 miliardë euro mallra. Çmimet e këtyre produkteve nuk mund të kontrollohen nga autoritetet tona në të njëjtën mënyrë si po tentohet të kontrollohet çmimi i naftës”, ka shkruar Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar barrën financiare ndaj qytetarëve, duke propozuar uljen e TVSH-së në karburante nga 18% në 8% dhe përgjysmimin e akcizës deri në stabilizimin e tregut.

“Një qeveri e përgjegjshme do të duhej të mblidhej urgjentisht dhe t’i dërgonte këto masa në Kuvend, që nga 1 prilli”, ka theksuar ajo.

Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe faktorë të tjerë ekonomikë, si rritja e çmimit të energjisë dhe inflacioni prej 6%, duke shtuar se ekzekutivi është dashur të zhvillojë takime me odat ekonomike dhe Shoqatën e Naftëtarëve për të adresuar situatën.

Në fund, Bajrami ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke e akuzuar për mungesë veprimi dhe për kalkulime politike në prag të zgjedhjeve.

“Këto takime nuk kanë ndodhur sepse po shkojmë në zgjedhje. Sa më e madhe kriza për familjet, aq më të vlefshme bëhen mjetet buxhetore për blerje votash. Strategjia është ‘varfëro e sundo’”, ka deklaruar Bajrami.

Shpërndaje në rrjete sociale