Hoxha telefonon Konjufcën: Shqipëria e palëkundur në mbështetjen e gjithanshme për Kosovën, sot dhe gjithmonë

21:00 | 19 Mars 2026
E.H

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ku është rikonfirmuar mbështetja e fuqishme e Tiranës zyrtare për Prishtinën.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi bisedën si “shumë të ngrohtë dhe vëllazërore”, duke theksuar marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve.

“Rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme”, ka shkruar Hoxha.

Ai bëri të ditur se të dyja palët janë zotuar për thellimin e partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, përfshirë ekonominë, infrastrukturën, arsimin, kulturën, sigurinë dhe diplomacinë.

Hoxha ka vlerësuar gjithashtu zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Bashkimi Evropian, duke e konsideruar heqjen e masave kufizuese si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të rrugës evropiane të vendit.

“Ky është një moment i ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, me bindjen se do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka theksuar ai.

Në këtë komunikim, ministri shqiptar ka nënvizuar edhe nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe avancimin e projekteve me interes kombëtar.

“E sigurova z. Konjufca për mbështetjen tonë të palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe në zgjerimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Hoxha.

Në fund, ai ka ritheksuar se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Kosovën.

“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë”, ka përfunduar Hoxha.

Shpërndaje në rrjete sociale