Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, si dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala.
Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, ndërsa Izet Sheqiri edhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë; ndërsa Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”, pra gjithsej 63 mijë euro gjobë.
Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi u caktohet masa e paraburgimit, ndërkaq të tjerëve u vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Në dënimin me burgim, të akuzuarve u llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Konfiskohet sasia e narkotikut, mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, si dhe arma për të cilën u shpall fajtor i akuzuari Izet Sheqiri.
Të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 500 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Pas shpalljes së aktgjykimit, njërit prej të akuzuarve iu përkeqësua gjendja shëndetësore, andaj iu ofrua ndihmë mjekësore.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Pas Rey Manajt, edhe Mirlind Daku mungon ndaj Polonisë
Një aeroplan luftarak rus hyn në hapësirën ajrore të NATO-s
Prekëse: Gjesti u lirua në ditën kur vëllai i tij i ndjerë d...
Zbutet dënimi për Prishtinën, ndeshja ndaj Ballkanit luhet m...
Tragjedia në Vjenë ku vdiqën 3 kosovarë, viktima e katërt ës...
Publikohet formacioni më i mirë i javës në Ligën e Kampionëv...