Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan, Ministri Hoti: Ndërhyrja në raste të tilla është kompetencë e komunave, po hetojmë

12:51 | 19 Mars 2026
E.G

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka folur lidhur me rastin e 5-vjeçarit në Lipjan, që dyshohet se u keqtrajtua nga prindërit.

Ai tha se ndërhyrja në raste të tilla është kompetencë e komunave, dhe jo e Ministrisë.

Hoti ka thënë se Ministria ka aktivizuar qysh dje njësinë e aktivizimit, e cila me urgjencë po e heton rastin në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan.

“Ne përgjegjësisë nuk mund t’i ikim në këtë pikë. Megjithatë ne duhmi me ditë se të gjitha rastet sociale në Republikën e Kosovës që përfshijnë trajtimin e dhunës, keqtrajtimin dhe cdo lloj tjetër forme që kërkon dhe është e nevojshme ndërhyrja e institucioneve, është kompetencë e komunave, përkatësisht e Qendrave për Punë Sociale, dhe jo e Ministrisë që e udhëheqi unë”, ka deklaruar Hoti në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai tha se roli i Ministrisë është vetëm hartimi i politikave.

“Ministria në këtë aspekt e ka njësinë e Inspektimit, që veç e kemi aktivizu dje dhe që me urgjencë ka shku me hetu rastin në QPS në Lipjan”, shtoi Hoti.

Prindërve të 5-vjeçarit u është caktuar dje nga një muaj paraburgim.

Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, A.K. dhe V.P. dyshohet të kenë kryer veprat “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

5-vjeçari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve.

Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, ku është duke u trajtuar fëmija, ai është pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze. Në momentin e pranimit, ai ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

Shpërndaje në rrjete sociale