Tërnava: Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, lutemi që Zoti t’i ndalë luftërat e të sjellë qetësi në botë

11:14 | 19 Mars 2026
E.G

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore që sjell përfundimi i muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ai u shpreh se pas një udhëtimi të gjatë shpirtëror gjatë Ramazanit, besimtarët presin me gëzim të madh këtë festë, e cila simbolizon pastrimin e shpirtit dhe afrimin me Zotin.

“Ky muaj i begatë e mësoi besimtarin të pastrojë shpirtin dhe të afrohet më shumë me Zotin e Madhërishëm. Ramazani na edukoi me përkushtim dhe sinqeritet, duke na bërë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj Zotit”, ka thënë Tërnava.

Sipas tij, Ramazani ka kultivuar ndjenjën e barazisë dhe ka ringjallur shpresën tek njerëzit, ndërsa Fitër Bajrami është një ditë e bashkimit dhe solidaritetit.

“Fitër Bajrami është ditë kur shtrihen duart e bashkimit, kur sofrat tona mbushen me begati, respekt dhe mirënjohje. Kjo është dita kur duhet të jemi më pranë njëri-tjetrit”, theksoi ai.

Në mesazhin e tij, Tërnava ka vënë theksin edhe te paqja, duke e cilësuar atë si thelbin e kësaj feste.

“Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja. Kjo festë na fton të lutemi për paqe dhe që Zoti t’i ndalë luftërat e të sjellë qetësi në botë”, u shpreh ai.

Në fund, ai bëri thirrje që vlerat e fituara gjatë Ramazanit të vazhdojnë edhe pas përfundimit të tij, duke ndjekur rrugën e mirësisë dhe drejtësisë.

“Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti ju dhëntë paqe në familjet tuaja”, përfundoi myftiu Tërnava./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale