Sorensen i tregon zyrtarit të OKB-së për Ligjin për të Huajt: Fryma konstruktive dhe pragmatike e mundësoi

20:31 | 18 Mars 2026
E.H

Emisari i BE-së për Dialogun, Peter Sorensen, ka njoftuar për takimin që ka pasur me zyrtarin e lartë të Kombeve të Bashkuara, ambasadorin Jan Pierre Lacroix.

Sorensen e ka njoftuar atë me marrëveshjen e fundit të arritur me Qeverinë Kurti sa i përket zbatimit të Ligjit për të Huajt.

Diplomati danez ka thënë se marrëveshja me Kurtin u bë e mundur falë frymës konstruktive dhe pragmatike.

Sorensen gjithashtu ka treguar se kanë folur për nevojën e avancimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

“Pata një bisedë të mirë mbi zhvillimet e fundit në Dialog , frymën konstruktive dhe pragmatike që e bëri të mundur marrëveshjen e fundjavës së kaluar dhe nevojën për të avancuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Pres me padurim më shumë diskutime në UN javën e ardhshme.”, ka shkruar Sorensen.

Shpërndaje në rrjete sociale