Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës ta respektojnë Ligjin për të huajt, përfshirë këtu lehtësirat e aplikuara për lejeqëndrim 12-mujor.
Në një postim në Facebook, Lista Serbe ka thënë se “e di qëndrimin e popullit për këto dokumente”, por tha se me marrëveshjen e dakorduar “është penguar që 10 mijë persona të mbesin jashtë Kosovës e M.”.
“Kemi arritur, siç do të thoshte Patriarku ynë, të ruajmë popullin tonë në Kosovë e M”, ka shkruar Lista Serbe.
Ajo ka thënë se personat “që punojnë në institucione shëndetësore dhe arsimore, por nuk jetojnë në Kosovë, mund të aplikojnë për lejeqëndrim njëvjeçar me të drejtë zgjatjeje. Po ashtu edhe studentët”.
E tha se ata që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente, mund të aplikojnë për marrjen e tyre.
“Qytetarët që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë në Kosovë dhe M., do të jenë në gjendje të marrin dokumente të Kosovës nga e hëna në bazë të dokumenteve serbe”, ka shkruar Lista Serbe.
Lista Serbe ka thënë se kryetarët e komunave me shumicë serbe, do të “përkujdesen që ky proces të shkojë pa probleme” dhe se të gjithë qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre deri më 16 qershor.
Po ashtu ka thënë se po bëhet përpjekje edhe për të gjetur zgjidhje sa i përket targave të automjeteve.
“Dëshirojmë t’u themi qytetarëve se po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje për problemin e automjeteve dhe besojmë se me mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, së shpejti mund të arrijmë një zgjidhje që do t’u sjellë dobi qytetarëve tanë”, ka shkruar Lista Serbe.
Qeveria është pajtuar fundjavën e kaluar që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe ai për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë lejeqëndrime 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.
“Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, tha të shtunën në konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka treguar edhe detaje të lehtësirave të krijuara.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë”, ka thënë ai. “Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hap një dritare të re 3-mujore për t’u mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”.
Liverpool synon rikthimin ndaj Galatasaray, publikohen forma...
Goditet kryeqyteti i Arabisë Saudite, shpërthime në infrastr...
“Referët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm” ...
NATO: Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet sërish
Spektakël pas pjesës së parë në Camp Nou, pesë gola të shënu...
Ndërpritet furnizimi me gaz i Irakut nga Irani pas sulmeve