Kusari-Lila: Kosova qëndron mirë me rezerva të derivateve

21:23 | 17 Mars 2026
E.H

Si vend që importon derivate të naftës, Kosova vazhdon të mbetet e ndjeshme ndaj konflikteve globale. Nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, çmimet e një litri naftë kanë shkuar në 1,60 euro për dallim nga 1,18 sa ishte.

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, nënvizoi se masa për kufizimin e marzhës së fitimit po e mban situatën nën kontroll.

“Lëvizjet që po ndodhin janë reflektim i drejtpërdrejt i çmimit në tregun e jashtëm. Ne si vend importues që nuk kemi rafineri, ndikon shumë më shumë se vendet fqinje që kanë rafineri të naftës. Megjithatë prapë te të gjithë po reflektohet ngritja e çmimit”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, ministre e MINT.

Për mosrespektim të vendimit të Ministrisë për caktim të marzhës, deri më tani janë gjobitur dy kompani, ndërkohë që vetë shefja e dikasterit të Tregtisë vë në pah se konflikti në Iran edhe më tej do të ndikojë në çmimet e derivateve.

“Është i pashmangshëm ndikimi i mëtutjeshëm i asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e mesme në çmimet e derivateve”, ka thënë ajo.

E naftëtarët e vendit këmbëngulin se Kosova ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon.

“Çmimi te na në Kosovë po del që jetë më i liri në rajon”, ka thënë Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Me caktimin e marzhës në fitim nga Ministria e Industrisë, naftëtarët mund ta ngrisin çmimin e naftës nga ai që importojnë për 2 cent për litër për shitjet me shumicë, dhe 12 centë për ato me pakicë./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale