Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se lëvizjet e fundit të çmimeve të derivateve në vend janë pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa theksoi se masa për kufizimin e marzhës së fitimit po e mban situatën nën kontroll.
Ajo shpjegoi se çmimi tavan i derivateve bazohet në çmimin e importit të një dite më parë. Sipas saj, importuesit me shumicë mund ta rrisin çmimin maksimalisht për 2 cent për litër mbi çmimin e blerjes, ndërsa në tregun me pakicë shtohen edhe 12 cent të tjera.
“Çmimi tavan apo marzha mbi fitimin në çmimin e naftës është bazuar në çmimin e një ditë përpara të sasive të derivateve të importuara. Dhe përderisa ka ngritje të çmimit në derivatet e importuara, lëviz edhe çmimi brenda tregut të brendshëm. Do të thotë, një blerës me shumicë, gjegjësisht një importues me shumicë mund ta ngrit çmimin mbi çmimin e importit vetëm 2 cent për litër. Prandaj, nëse në një ditë të caktuar, siç ka qenë dy ditë më parë, çmimi për litër të derivatit, në këtë rast të naftës, është importuar me 1 euro e 50 cent, me shumicë ajo mund të shitet më së shumti 1 euro e 52 cent. Përderisa me pakicë shtohet edhe 12 cent mbi çmimin bazë, që do të shkojë në 1 euro e 64 cent”, tha ajo.
Kusari-Lila theksoi se njoftimi për kufirin maksimal të çmimeve përfshin të gjitha derivatet, përfshirë edhe gazin, dhe se Kosova, si vend importues pa rafineri, ndikohet më shumë nga lëvizjet globale të çmimeve krahasuar me vendet që kanë kapacitete përpunuese.
Sa i përket rezervave, ajo siguroi se situata mbetet stabile dhe e menaxhueshme, pa rrezik për panik. Sipas saj, institucionet po monitorojnë vazhdimisht edhe rezervat e kompanive që merren me tregtimin e derivateve dhe nuk është vërejtur rënie e tyre.
“Ka pasur vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë lëshuar një pjesë të rezervës shtetërore. Ne nuk kemi ardhur në atë pikë. Industria dhe ekonomia jonë nuk janë në atë nivel që është rrezikuar në masë të madhe. Megjithatë, megjithatë më duhet të them se është e pashmangshme ndikimi i mëtejshëm i asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme me reflektimin në çmimin e derivateve. Ne do ta bëjmë maksimumin edhe jemi duke e bërë të përcjellim që nuk ka, të them, fluktuim jashtë normales. Gjegjësisht masa e vendosur ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll, por kontrolli brenda kësaj hapësire e cila po tregohet se po lëviz çmimi, por jo mbi të paimagjinueshmen ose në masë ku mund të ketë ndikim tepër serioz për të keq. Po e them që shkon edhe në një periudhë kohe deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi akterë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, tha ajo.
Ajo paralajmëroi se zhvillimet në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e derivateve, por shtoi se pritet stabilizim në muajt në vijim, veçanërisht gjatë verës.
Tijana Veljkoviq emërohet zëvendësministre në Ministrinë e K...
Sveçla: Kujtimi për viktimat e marsit 2004 është obligim i p...
Shqipëria shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit, reago...
Lulzim Hetemi emërohet zëvendësministër në Ministrinë për Ko...
Baton Zabërgja ftohet nga Kosova për ndeshjen vendimtare nda...
Pakistani kryen sulm në një spital në Afganistan, të paktën ...