Qytetarët në Ditën e Kushtetutës shprehen jo të kënaqur me atë se sa respektohet ajo që nga miratimi i saj. Ata thonë se pushtetarët nuk po e respektojnë dhe e kanë thyer shumë herë atë për t’i përmbushur interesat e veta personale dhe grupore. Pos kësaj, sipas tyre, ajo nuk është e tërësishme, pasi që nuk zbatohet edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Gjendja e rëndë në vend, thonë qytetarët që i anketuam me rastin e përvjetorit të shtatë të miratimit të Kushtetutës, ka ardhur për shkak të mosrespektimit të saj dhe derisa ajo nuk zbatohet nuk do të ketë as stabilitet në vend.
Mehmet Gjoshi, një qytetarë nga Prishtina, thotë se fatkeqësia më e madhe është se Kushtetuta e vendit po shkelet nga vetë ata që e kanë hartuar atë. Sipas tij, vetëm me respektimin e saj mund të ecim përpara.
“Unë nuk jam njohës i mirë i rrethanave dhe megjithatë si qytetar mendoj se Kushtetuta aq pak po respektohet sa është për t’u habitur. Njerëzit kanë qenë shumë të etshëm për këto rrethana dhe çka është më keq po shkelet nga ata që shumica e tyre e kanë hartuar vetë, prej atyre që e kanë obligim që ta respektojnë dhe pikërisht ata e shkelin kushtetutën për interesa të ngushta, grupore, klanore.”, tha Gjoshi.
Një tjetër qytetar, Izet Zhuja, thotë se që nga formimi i saj ajo është shkelur shumë herë dhe të gjitha rastet kanë qenë për interesa politike të partive të ndryshme. Sipas tij, interesat personale duhet lihen anash dhe kushtetuta duhet të çmohet.
“Prej formimit të Kushtetutës e deri sot ajo është thyer shumë herë, në raste të caktuara. Natyrisht jo për raste banale, por për çështje të interesave politike të partive të ndryshme dhe atyre në pushtet. Natyrisht, është thyer në rastin e presidentëve, në rastin e VLAN-it që deshën ta krijojnë një qeveri të re me subjekte të reja, por që nuk u lejua nga ana e pushtetit. Pra, pushteti është zakonisht shkelësi më i madh i kushtetutës… interesat personale, interesat e grupeve të ndryshme të njerëzve, duhet një herë e përgjithmonë të qetësohen dhe një herë e mirë duhet kushtetuta të çmohet ashtu si çmohet në vendet siç është Amerika për shembull”, tha Zhuja.
Ndërsa, Mehmet Neziri , thotë se Kushtetuta respektohet në një masë, por jo në terësi. Ai e quan të mangët atë, për shkak se në pjesën veriore nuk ka as Kushtetutë e as ligj.
“Kushtetuta nuk është duke u respektuar në terësi. Ndoshta pjesërisht respektohet, por në tërësi jo. Edhe në pjesën veriore për shembull as nuk ka kushtetuta, as ligj, pra asnjë akt normativ nuk zbatohet, prandaj kushtetuta është e mangët në atë drejtim. E dyta, janë edhe disa lëshime të tjera, gabime të tjera që kushtetuta nuk po respektohet, sidomos nga organet kryesore të cilat duhet ta respektojnë ajo nuk po respektohet. Veprojnë sipas qejfit të vet, prandaj e kemi gjendjen qysh e kemi tash”, tha Neziri.
Sipas Agron Dida, respektimi i ligjit është njëra ndër sfidat kryesore e cila duhet të respektohet patjetër, për shkak se vetëm ashtu do të mund të jemi në Evropë.
“Rekomandimi është për juve të rinjtë që ta respektoni deri në fund Kushtetutën, ta ndërtoni këtë vend dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi popull dinjitoz dhe një shtet dinjitoz i cili është pjesë e Evropës dhe pjesë e kombeve të Evropës. Dhe ju e dini se Evropa ka dhënë disa kushte të cilat ne duhet t’i plotësojmë, e që ndër to është edhe repsketim i ligjit, ku ligji kryesor është Kushtetua dhe kjo është njëra ndër sfidat kryesore që duhet t’i plotësojmë patjetër. Këtë duhet ta marrim si detyrë solemne, jo si detyrim dhe duhet t’i luftojmë të gjithë ata që janë duke e përdorur edhe Kushtetutën për interesa private, personale, të ngushta, klanore dhe të krimit klanor”, tha Dida.
Ndryshe, 9 prilli 2015, përvjetori i shtatë i Kushtetutës, edhe sipas njohësve të çështjeve juridike dhe hartuesve të këtij akti më të lartë ligjor të një vendi, e gjen vendin pa zbatim të plot të saj, të akteve ligjore dhe nënligjore. Sipas tyre, që në Preambulën e Kushtetutës fillojnë të shfaqen problemet me këtë dokument, në të cilin së pari nuk përshkruhet historia e shqiptarëve si shumicë në Kosovë. Kjo, sipas njohësve të Kushtetutës, do të duhet të përmirësohet sa më shpejt. Madje, ata vlerësojnë se situata pas zgjedhjeve të fundit dhe zbrazëtia ligjore ka ndikuar në ngërçin politik që kishte kapluar vendin për gjashtë muaj.
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...
I akuzuari për vrasjen e Charlie Kirk paraqitet për herë të ...
Habit sondazhi i Politico: Trump, njeriu më i fuqishëm në Ev...
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...