Ndryshimi i trajnerit rezultoi dështim për Realin, Arbeloa ka humbur më shumë pikë se Xabi Alonso

16:42 | 26 Prill 2026
D.H

Ndryshimi në pankinën e Real Madridit këtë sezon po rezulton një dështim i madh. Ekipi nuk ka arritur stabilitetin e pritur nën drejtimin e Álvaro Arbeloa, i cili ka regjistruar rezultate më të dobëta në La Liga krahasuar me paraardhësin e tij, Xabi Alonso.

Me Barcelonën shumë pranë titullit dhe me 11 pikë epërsi, pesë javë para fundit, diferenca konsiderohet e pakapërcyeshme për madrilenët. Kjo do të thotë se Real Madridi pritet të mbyllë sezonin e dytë radhazi pa asnjë trofe madhor – një dështim i qartë për klubin.

Barazimi 1-1 ndaj Real Betis i ka dhënë praktikisht titullin Barcelonës. Nën drejtimin e Arbeloas, skuadra ka humbur 13 pikë, një më shumë se me Xabi Alonson, edhe pse ky i fundit ka drejtuar më shumë ndeshje.

Në pjesën e parë të sezonit, Xabi Alonso grumbulloi 45 pikë nga 57 të mundshme, me 14 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, përfshirë një fitore në “El Clásico”. Ndërkohë, Arbeloa në 14 ndeshje ka marrë 29 pikë, me 9 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

Momenti i vetëm pozitiv ishte në javën e 24-t, kur Reali mori kreun pas fitores ndaj Real Sociedad dhe humbjes së Barcelonës nga Girona. Por kjo zgjati shumë pak, pasi në javën pasuese humbja ndaj Osasuna i riktheu katalanasit në vendin e parë, të cilin nuk e lëshuan më.

Në total, Arbeloa ka pësuar shtatë humbje në të gjitha garat, përfshirë eliminimin nga Albacete në Kupë, disfatat në Champions nga Benfica dhe Bayern Munich, si dhe disa humbje në kampionat.

Të gjitha këto tregojnë se Arbeloa nuk ka qenë zgjidhja për Real Madridin, i cili pritet ta mbyllë sezonin pa trofe dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale