Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka vendosur t’u japë një ditë pushim futbollistëve të tij para përballjes së rëndësishme kundër Real Madrid në UEFA Champions League.
Skuadra angleze kishte të planifikuar një seancë stërvitore të hënën në qendrën stërvitore në Mançester, por tekniku spanjoll vendosi ta anulojë atë dhe t’u japë lojtarëve një ditë pushimi. City do të rikthehet në stërvitje të martën, në ditën e ndeshjes që zhvillohet në stadiumin Etihad Stadium.
Guardiola e arsyetoi këtë vendim duke theksuar se një stërvitje shtesë nuk do ta përmirësonte skuadrën.
“Të stërvitesh më shumë nuk do të na bënte më të mirë. Në futbollin e sotëm, stërvitja më e madhe nuk të bën domosdoshmërisht më të mirë. Preferova që lojtarët të qëndronin sot në shtëpi. E kam bërë dy ose tri herë këtë sezon, nuk është diçka e re”, deklaroi ai.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar javën e kaluar në Santiago Bernabéu, Real Madridi arriti një fitore të thellë 3-0, rezultat që madrilenët do të tentojnë ta mbrojnë në ndeshjen e kthimit në Mançester.
Kjo nuk është hera e parë që Guardiola merr një vendim të tillë para një ndeshjeje të Champions League. Ai kishte vepruar në mënyrë të ngjashme edhe në muajin nëntor, para përballjes me Borussia Dortmund.
Vendimi i trajnerit lidhet edhe me kalendarin e ngarkuar të skuadrës. City luajti të shtunën në mbrëmje ndaj West Ham United, u kthye po atë ditë në Mançester dhe të dielën zhvilloi vetëm një seancë rikuperimi, para se lojtarët të merrnin pushimin e së hënës në prag të sfidës vendimtare me Real Madridin./Arbresh.info
Gjest fisnik: Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhuron g...
Hapet konkursi për anesteziologë të rinj në QKUK
Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë
Bernardo Silva: Në futboll gjithçka është e mundur, do të lu...
Maqedonci: Raketat kineze të Serbisë të dizejnuara për të su...
Batatina suspendohet me dy ndeshje dhe gjobitet nga Komision...