Nafta në Kosovë arrin deri në 1.60 euro për litër

13:38 | 16 Mars 2026
E.G

Çmimi i naftës në tregun me pakicë në Kosovë ka arritur deri në 1.60 euro për litër këtë të hënë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, çmimet ndryshojnë në varësi të kompanive, ku nafta shitet nga 1.53 deri në 1.60 euro për litër. Ndërkohë, benzina kushton nga 1.34 deri në 1.38 euro për litër.

Berjani ka bërë të ditur gjithashtu se çmimi i naftës me shumicë aktualisht është rreth 1.54 euro për litër.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent crude arriti në gati 105 dollarë për fuçi, një rritje prej më shumë se 40 për qind që nga fillimi i luftës me Iranin.

Sipas Associated Press, çmimi i Brent u rrit me 1.6 për qind dhe tani është 104.73 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, çmimi i naftës së papërpunuar amerikane u rrit me 1 për qind, në 99.68 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej pothuajse 50 për qind që nga fillimi i luftës.

Sipas firmës kërkimore Rystad Energy, në pak më shumë se një javë që nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, më shumë se 12 milionë fuçi naftë në ditë janë nxjerrë jashtë qarkullimit.

Shpërndaje në rrjete sociale