BE: Serbia të zgjedhë mes Rusisë dhe Evropës

20:46 | 14 Mars 2026
Q L

Disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë shtetet skandinave, baltike dhe disa vende të Evropës Perëndimore, po bllokojnë hapjen e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në, që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

Sipas diplomatëve evropianë, përparimi i Serbisë drejt BE-së nuk varet vetëm nga reformat në drejtësi dhe sundimi i ligjit, por edhe nga përputhja e politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Kjo iu theksua kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, gjatë vizitës së saj në Danimarkë dhe Finlandë.

“Dy janë çështjet kryesore që ata ngritën: së pari, pse Serbia nuk ka vendosur dhe ende nuk vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe si përputhet kjo me rrugën tonë evropiane, si dhe si mund ta rrisim përputhjen tonë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ishte e rëndësishme për mua të bisedoja pikërisht me këto vende dhe të ndërmerrnim një ofensivë të tillë diplomatike”, tha Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Ekspertët theksojnë se reagimet negative në disa kryeqytete evropiane lidhen kryesisht me qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë.

“Për disa vende anëtare, veçanërisht për ato nordike dhe baltike, përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është thelbësore. Ato presin që Serbia të demonstrojë përputhje afatgjatë të interesave të saj strategjike me BE-në dhe të japë garanci të qarta për sjelljen e saj pasi të bëhet anëtare”, thotë, Igor Novakoviq nga ISAC Fund.

Ai shton se reagime të forta në disa kryeqytete evropiane, janë shkaktuar edhe nga miratimi i ligjeve për drejtësinë pa konsultim me BE-në dhe pa opinionin e Komisionit të Venecias.

Në këtë kontekst, nga Brukseli vijnë paralajmërime se disa vende anëtare kanë hapur edhe çështjen e mundësisë së pezullimit të një pjese të fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor për Serbinë, derisa të përmbushen kushtet e kërkuara, pasi vlerësohet se ligjet e miratuara kanë dobësuar përkushtimin e Serbisë ndaj sundimit të ligjit./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale