Negociatat SHBA-Iran bllokohen, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur

08:20 | 29 Prill 2026
R J

Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme mbetën në një ngërç të plotë të martën, ndërsa Shtetet e Bashkuara po e shohin me skepticizëm propozimin e ri të Teheranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Ky korridor me rëndësi strategjike vijon të mbetet praktikisht i mbyllur, nën një bllokadë të dyfishtë, duke shkaktuar pasoja serioze për lundrimin ndërkombëtar dhe ekonominë globale.

Negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit duket se kanë ngecur, pavarësisht faktit se prej tre javësh është në fuqi një armëpushim.

Ngushtica e Hormuzit mbetet de facto e mbyllur nga Irani, ndërsa SHBA-të vijojnë bllokadën ndaj porteve iraniane, çka ka sjellë një paralizim të ndjeshëm të trafikut detar.

Rivendosja e kalimit të lirë në këtë korridor, i cili është jetik për tregtinë globale të naftës dhe gazit natyror, konsiderohet një element kyç për zgjidhjen e konfliktit, i cili shpërtheu më 28 shkurt me bombardime të gjera nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit.

“Ne nuk besojmë se lufta ka përfunduar”, deklaroi për televizionin shtetëror iranian zëdhënësi i ushtrisë, Amir Akraminija, duke theksuar klimën e tensionuar që vijon të mbizotërojë në rajon.