Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka përsëritur thirrjen e NATO-s që autorët e sulmeve në Banjskë në vitin 2023, të sillen para drejtësisë. Ai ka thënë se autoritete serbe duhet të luajnë rolin e tyre.
“KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Megjithatë, aleatët e NATO-s mbeten të shqetësuar për rritjen e dhunës në Kosovë në vitin 2023. Për dy vjet, NATO ka vazhduar të bëjë thirrje për llogaridhënie dhe që autorët e këtyre sulmeve të sillen para drejtësisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përsëriti këtë pikë, në margjinat e takimit të fundit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, në shkurt. Pra, ne mbështetemi te autoritetet serbe që të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim. Ne kemi vënë re arrestimet e kryera nga institucionet në Kosovë, në lidhje me dhunën e pajustifikuar dhe të papranueshme të kryer kundër paqeruajtësve të KFOR-it në vitin 2023. Ne mirëpresim të gjitha hapat për të mbështetur sundimin e ligjit”, ka thënë Ulutash në një intervistë për mediat serbe.
Ai tha se situata e sigurisë në Kosovë është aktualisht e qetë, dhe nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim domethënës në këtë drejtim kohët e fundit, por ende e brishtë.
“Sigurisht, situata mbetet gjithashtu e brishtë, si rezultat i çështjeve ende të pazgjidhura. Mandati im i parë ndodhi menjëherë pas incidenteve të rënda të sigurisë në veri të Kosovës dhe rritjes së pranisë së KFOR-it në terren. Ne nuk kemi parë përsëritje të të njëjtit nivel dhune. Megjithatë, ne ende presim që ata që janë përgjegjës për një dhunë të tillë të pajustifikuar të mbahen përgjegjës”, ka thënë komandanti i KFOR-it .
Ai tha se tensionet themelore politike nuk janë zhdukur ende. “Kjo do të thotë që edhe një incident relativisht i vogël si një mosmarrëveshje, një keqkuptim ose një ngjarje e ngarkuar politikisht ka potencialin të përshkallëzohet shpejt, nëse nuk menaxhohet me përgjegjësi, me ndikim negativ në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, ka deklaruar ai.
Ulutash, tutje tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, por megjithatë, sipas tij, siguria e qëndrueshme në Kosovë mbështetet në një zgjidhje politike.
“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është korniza për të ndjekur zgjidhje për çështjet e pazgjidhura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë në këtë intervistë ai.
Komnadanti i KFOR-it ka folur edhe për mbështetjen në zhvillimin e FSK-së nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s.
“Që nga viti 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s – i cili është i ndarë nga KFOR-i, ka mbështetur zhvillimin e FSK-së sipas mandatit të saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes ndërtimit të kapaciteteve, koordinimit të arsimit dhe trajnimit. Kjo mbështetje mbetet e pandryshuar dhe është e kufizuar në mandatin origjinal të FSK-së për mbrojtjen civile”, ka thënë ai.
Ulutash, gjithashtu në këtë intervistë ka folur edhe për marrëveshjen trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
“Ne e kemi marrë parasysh atë, por NATO si organizatë nuk është palë në të dhe nuk ka pasur rol në procesin e konsultimit. Anëtarësimi në NATO nuk i pengon aleatët të lidhin marrëveshje shtesë bashkëpunimi. Dhe unë mirëpres angazhimet e vazhdueshme të Shqipërisë dhe Kroacisë në mbështetje të KFOR-it”, ka thënë ai.
Ulutash ka ripërsëritur se zgjidhja në fund është politike, jo ushtarake.
“Stabiliteti afatgjatë në rajon mund të arrihet vetëm përmes dialogut të qëndrueshëm politik, gatishmërisë për kompromis dhe zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve. NATO mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës për të normalizuar marrëdhëniet e tyre dhe për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai.
Tutje, Ulutash ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, duke përfshirë edhe brenda kornizës së misionit KFOR të udhëhequr nga NATO.
Habermas mbështeti bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë
Trumpi thotë se SHBA-ja do ta hapë Ngushticën e Hormuzit me ...
Rihapet pikëkalimi kufitar në Jarinjë
Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi kërkon nga qytetarët të njof...
Ligji për të Huajt, Rama bën apel për avancimin e Kosovës në...
Vuçiq mirëpret lehtësirat për serbët në Kosovë në kuadër të ...