Infantino: Trump më garantoi se Irani do të jetë i mirëpritur në Botëror

09:48 | 11 Mars 2026
E.K

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se kombëtarja e Iranit është “e mirëpritur” të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit të fundit në Lindjen e Mesme.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në një postim në Instagram njoftoi se të martën është takuar me Trump për të diskutuar përgatitjet për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, e që nis më 11 qershor.

Infantino bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për situatën aktuale në Iran. Sipas tij, Trump ka ritheksuar se kombëtarja iraniane është e mirëpritur të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.

“Ne të gjithë kemi nevojë për një ngjarje si Kupa e Botës për t’i bashkuar njerëzit më shumë se kurrë. Futbolli bashkon botën”, ka shkruar Infantino.

Pjesëmarrja e Iranit në turne kishte qenë në dyshim pas sulmeve të fundit ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit gjatë këtij muaji. Gjatë këtyre sulmeve është vrarë edhe lideri suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani më pas është kundërpërgjigjur me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahreinin, Kuvaitin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas kalendarit të ndeshjeve, Irani pritet të luajë tri ndeshje në SHBA: ndaj Zelandës së Re më 15 qershor, ndaj Belgjikës më 21 qershor si dhe ndaj Egjiptit më 26 qershor.

Megjithatë, presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, është shprehur se pas sulmeve të fundit është e vështirë që vendi të shohë me optimizëm drejt Kupës së Botës./rtk