Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përpiluar draft-raportin për Kosovën që përfshin zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës për vitin 2025.
Në këtë raport, Terras e ka parë vitin që lamë pas si vit të humbur për Kosovën, pasi që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk u arrit të funksionalizohej as Kuvendi e as Qeveria.
“Megjithëse të tria zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë në vitin 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe të rregullt, procesi normal politik u ndërpre rëndë. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike pësuan ngecje dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mundi të zbatohej”, thuhet në raport.
Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparime të dukshme në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe në mbrojtjen e të drejave themelore, por pavarësisht këtyre, sipas Terras sfidat vazhdojnë të mbesin në reformën për drejtësi, liri të mediave, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizim të shërbimeve publike.
Terras në këtë draft raport ka thënë se angazhimi i vazhdueshëm për reforma gjithëpërfshirëse dhe qeverisje gjithëpërfshirëse është thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se nuk ka dhënë rezultatet e pritura.
“Në thelb, dialogu ishte pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë. Komisioni Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet patjetër të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të re. Prandaj, zgjatja e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sörensen, deri në shkurt 2028, është shumë e mirëpritur”, thuhet në këtë draft-raport.
Për zgjerimin e BE-së, ai ka thënë se është një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të BE-së dhe sipas tij, ai duhet të vazhdoj pasi qëllimi më i gjerë gjeopolitik i zgjerimit është eliminimi i të ashtuquajturave “zona gri” nga harta e Evropës.
“Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës duhet ta rrisin gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me aktorë globalë autoritarë konkurrues. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë treguar se kanë interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor. Integrimi evropian i Kosovës është një proces i dyanshëm. Që Kosova të realizojë reformat e nevojshme, është e nevojshme edhe ndihma nga Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave ka forcuar më tej kontaktet mes njerëzve dhe perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në draft-raport.
Në lidhje me masat ndëshkuese që BE i ka vendosur Kosovës në vitin 2023, ai ka thënë se ndikuan shumë negativisht në përparimin e Kosovës drejt Evropës.
“Edhe pse masat e BE-së kanë filluar gradualisht të lehtësohen, ndikimi i tyre në shoqëri mbetet shumë shqetësues. Veçanërisht të prekura nga këto masa janë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, pakicat kombëtare, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë marrë mbështetje të rëndësishme operative nga programet e BE-së. Masat gjithashtu mund të kenë një ndikim negativ në besueshmërinë e Bashkimit Evropian tek popullsia e Kosovës. Edhe pse mbështetja për Bashkimin Evropian ka mbetur shumë e lartë, ekziston rreziku që ajo të ulet si rezultat i këtyre masave”, thuhet më tutje në raport.
Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) do të shqyrtojë draft-raportet për disa vende kandidate të Bashkimit Evropian (BE) gjatë një takimi të planifikuar për 16 dhe 17 mars. Raportet u përgatitën nga raportuesit përkatës të institucionit.
Pas një shkëmbimi pikëpamjesh me Komisioneren për Zgjerim Marta Kos të martën, anëtarët e komisionit do të diskutojnë detajet e draft-raporteve në lidhje me Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Ukrainën, Moldavinë e Serbinë të nesërmen.
Draft-raporti i AFET për Kosovën përgatitet nga raportuesi Riho Terras. Dokumenti analizon zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai vlerëson progresin e Kosovës në raport me BE-në; përfshin kritika, rekomandime dhe vërejtje për institucionet e Kosovës; propozon qëndrimin politik të Parlamentit Evropian për Kosovën.
Pas publikimit të këtij draft-raporti, i njëjti prezantohet në PE nga eurodeputeti Terras.
Më pas, deputetët e komitetit paraqesin amendamente (ndryshime). Komiteti AFET voton raportin, dhe raporti i miratuar shkon për votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian
Vetëm pas këtyre hapave ai bëhet rezolutë zyrtare e Parlamentit Evropian.
Joseph: Kriza e re do t’i përkeqësojë edhe më tej marrëdhëni...
Rama: Katër zyrtarë certifikohen si specialistë të sigurisë ...
Fillon seanca gjyqësore ndaj ish-kreut të KEK-ut, Nagip Kras...
Gjashtë të vdekur nga zjarri në një autobus në Zvicër, dëshm...
Infantino: Trump më garantoi se Irani do të jetë i mirëpritu...
Arrestohet në Vlorë një 23-vjeçar nga Pejë, kapet duke tentu...