Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për rastin Rashiq: Vetëm shumica e deputetëve serbë mund të propozojnë kandidatin për nënkryetar

17:15 | 4 Shkurt 2026
E.H

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë për rastin e ankesës së Listës Serbe për zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Kushtetuesja me shumicë votash ka konsideruar se ky vendim i datës 10 tetor 2025 është në kundërshtim me paragrafin 4 të Nenit 67 për Zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve dhe gjithashtu në kundërshtim me nënpargarfin 1 të paragrafit 6 dhe nënparagrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Kushtetuesja në vendimin e plotë të saj ka listuar të gjitha veprimet e ndërmarra në Kuvendin e Republikës së Kosovës kur është zgjedhur Nenad Rashiq nënkryetar. Sipas Gjykatës, vendosja në funksion e mekanizmit të shortit ndodh vetëm në momentin kur refuzohet propozimi i një emri për nënkryetar.

Kushtetuesja thekson se Rashiq s’është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb dhe nuk ka pasur refuzim nga ana e deputetëve të Listës Serbe për të shfrytëzuar këtë të drejtë

“Për pasojë, Gjykata vlerëson se zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit (i) nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe (ii) nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radha e komunitetit Serb”, thuhet në vendim.

AKTGJYKIMI I PLOTË

Shpërndaje në rrjete sociale