CEO i Al Hilal, Esteve Calzada, ka folur për Cadena SER lidhur me mundësinë e transferimit të Vinicius Junior në futbollin arab, duke mos e mbyllur derën për një lëvizje të mundshme të yllit brazilian nga Real Madridi.
Ai ka zbuluar se drejtori ekzekutiv i Ligës Saudite është i vendosur për ta sjellë Viniciusin në Arabinë Saudite, nëse krijohet mundësia.
“Për momentin nuk ka bisedime nga ana jonë, por drejtori i ligës saudite, sa herë që pyetet, thotë se nëse Vinicius bëhet i disponueshëm, do të tentojë ta transferojë”, deklaroi Calzada.
Ai foli gjithashtu për Al Hilalin si një nga klubet që mund të hidhen fuqishëm në garë për brazilianin, edhe pse aktualisht nuk ka kontakte zyrtare.
“Kemi bërë një investim të madh, jo vetëm me Karim Benzeman, por edhe te talentët e rinj arabë. Objektivi ynë është të luftojmë për të gjithë titujt”, theksoi Calzada.
CEO i Al Hilal u ndal edhe te reagimet e Cristiano Ronaldos lidhur me pabarazinë mes klubeve saudite.
“Duhet ta pyesni atë se çfarë e shqetëson”, u shpreh shkurt Calzada.
Sipas tij, nëse Vinicius vendos të largohet nga Real Madridi, Al Hilal do të ishte një destinacion ideal.
“Jemi klubi më i fuqishëm në Arabinë Saudite. Për transferime kemi tri burime financimi: shitjet e produkteve zyrtare të klubit, programin qeveritar për afrimin e yjeve të mëdhenj dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të Princit”, deklaroi ai.
Calzada iu bashkua Al Hilalit në vitin 2023, pas 12 vitesh te Manchester City, ku katër vitet e fundit shërbeu si drejtor komercial.
Nën drejtimin e tij, klubi anglez arriti të tejkalojë Real Madridin, Barcelonën dhe Manchester Unitedin për të ardhura, duke thyer rekorde financiare. Më parë, ai ka qenë edhe drejtor i marketingut te FC Barcelona dhe president i Sabadell (2016–2023).
Vinicius, dilemë e madhe për Real Madridin
Situata e Vinicius Jr në Real Madrid mbetet delikate. Brazilianit i skadon kontrata në vitin 2027, që do të thotë se këtë verë hyn në vitin e fundit të kontratës. Nëse nuk rinovon, klubi madrilen mund të detyrohet ta shesë për të shmangur largimin e tij pa pagesë.
Vinicius ka në tavolinë prej muajsh një ofertë rinovimi, e cila fillimisht ishte dakorduar mes palëve, por që më pas u bllokua nga vetë lojtari.
Në këtë kontekst, Arabia Saudite po e ndjek nga afër situatën, duke e konsideruar transferimin e tij si një mesazh të fortë për botën e futbollit dhe dëshmi të fuqisë financiare të ligës./Arbresh.info
Tentoi ta vriste Donald Trumpin, Ryan Routh dënohet me burgi...
Besëlidhja e mposht Vëllaznimin në Ligën Unike
Dosjet e FBI-së zbulojnë detaje të reja mbi vdekjen e Epstei...
VV atakon Gjykatën Kushtetuese: Po krijon pushtet paralel, i...
E rëndë në Gjermani: Konduktori i trenit vritet nga pasagjer...
Rama: Vizita në Vatikan nisi nga ‘Zoja e Shqipërisë’, asnjë ...