Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë paralajmëruar protestë kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Protesta do të mbahet këtë të premte në ora 13:00, me grumbullim pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa marshimi do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në reagimin e tyre publik, organizatat theksojnë se që nga viti 2022 qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të faturave të rrymës, të cilat, sipas tyre, janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në favor të kompanisë KEDS dhe në dëm të interesit publik.
Sipas deklaratës, konsumatorët nuk po paguajnë vetëm çmimin e energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë private. Organizatat kritikojnë edhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë muajve të dimrit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që shtrenjtimi i rrymës ka në rritjen e kostos së jetesës.
Ato rikujtojnë se vitin e kaluar është miratuar një rritje prej 16.1 për qind, ndërsa këtë vit po paralajmërohet një tjetër rritje rreth 20 për qind, të cilën e konsiderojnë të papranueshme. Sipas tyre, KEDS-i përfiton duke blerë energji me çmime të ulëta nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumë më të larta.
Në kuadër të protestës, organizatorët kanë parashtruar dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm të çdo rritjeje të re të çmimit të energjisë elektrike dhe nisjen e procedurave për kthimin e KEDS-it në pronësi publike.
Organizatat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi qytetar është thelbësor për mbrojtjen e interesit publik dhe përballjen me, siç e quajnë ata, praktikat e dëmshme shumëvjeçare në sektorin e energjisë.
I mbijetuari i “Natës së Tmerrit” në Mitrovicë: Nëna ime u v...
Keqpërdorimet e votave në Deçan e Junik, intervistohen 30 të...
Gazmend Muhaxheri mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”
Drejtori i Policisë: Nga viti 2000 e deri më sot kemi humbur...
U paraqitën si punëtorë bankash, tre të arrestuar në Prishti...
LDK në Mitrovicë del nga koalicioni qeverisës me LVV-në