Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

16:19 | 3 Shkurt 2026
E.H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar 26-vjetorin e spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, të kryer në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 nga shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal “Rojet e urës”.

Në një postim përkujtimor, Kurti theksoi se nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre drejt jugut të lumit Ibër. Gjatë këtij aksioni, u vranë dhjetë qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

Kryeministri përmendi me emër viktimat e asaj nate tragjike: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi, duke theksuar se më i riu ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa më i moshuari 65.

Sipas Kurtit, spastrimi etnik i Mitrovicës ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një kohë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare. Gjatë shkurtit të vitit 2000, nga Mitrovica u dëbuan 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.

Ai theksoi se drejtësia për këtë krim ende nuk është vënë plotësisht në vend dhe se nevojitet përkushtim institucional dhe solidaritet shoqëror për rehabilitimin e viktimave dhe familjeve të dëbuara./Arbresh.info

Postimi i plotë:

Shpërndaje në rrjete sociale