Dymbëdhjetë minatorë janë vrarë nga një sulm me dron rus në lindje të Ukrainës, të paktën kështu ka njoftuar këtë të dielë kompania më e madhe private e energjisë e këtij vendi.
Siç shkruan BBC, kompania DTEK tha se një autobus që transportonte punëtorët pas ndërrimit të turneve në rajonin e Dnipropetrovsk ishte shënjestruar në sulmin e së dielës. Të paktën shtatë persona u plagosën.
Më herët, të paktën dy persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në sulme të veçanta ruse gjatë natës dhe të dielën.
Mes viktimave ishin gjashtë persona të plagosur kur një dron goditi një maternitet në Zaporizhzhia. Dy prej tyre ishin gra që po lindnin në momentin e sulmit.
Në një postim në Telegram, kreu i rajonit të Zaporizhzhias, Ivan Fedorov, e quajti këtë “provë të mëtejshme e një lufte të drejtuar kundër jetës”. Ai ndau një video me tym që dilte nga dritaret e shkatërruara dhe fotografi me xhama të thyer e mbetje të djegura brenda dhomave të spitalit.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se sulmi tregoi se presidenti rus Vladimir Putin po ndjek një “luftë kundër civilëve, në kundërshtim me përpjekjet për paqe”.
Fedorov raportoi më vonë se tre persona ishin plagosur nga një sulm tjetër në një zonë banimi.
Pas sulmit ndaj autobusit të DTEK-ut në qytetin Terenivka, kompania fillimisht tha se 15 minatorë ishin vrarë, por më vonë e rishikoi bilancin në të paktën 12.
Në një rast tjetër, një burrë dhe një grua u vranë nga një sulm me dron në qytetin qendror të Dnipros.
Moska nisi një valë sulmesh ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës në janar, duke ndikuar në furnizimin me ngrohje dhe energji gjatë një dimri jashtëzakonisht të ftohtë, me temperatura që pritet të zbresin nën 20°C këtë fundjavë.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë të enjten se Putin kishte rënë dakord të ndalonte sulmet për shkak të të ftohtit, por Kremlini më vonë tha se pauza do të skadonte të dielën.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe për t’i dhënë fund luftimeve pas gati katër vitesh do të fillonte të mërkurën, dhe jo të dielën siç ishte planifikuar. Ai nuk dha arsye për vonesën dhe tha se bisedimet mes zyrtarëve rusë, ukrainas dhe amerikanë do të zhvillohen në Abu Dhabi./tvklan.al
Jude Bellingham humb disa përballje të rëndësishme pas lëndi...
Arrestohet grupi pas sulmeve në aeroportin e Damaskut, armët...
Takim sekret në Pentagon, SHBA-të dhe Izraeli përballë Irani...
Bora dhe ngricat, Komuna e Prishtinës: Ekipet janë në terren...
Juventusi fiton me rezultat të thellë në udhëtim tek Parma
Atentat në Lezhë, i riu qëllohet me breshëri plumbash brenda...