Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një mesazh të fortë kundër antisemitizmit gjatë një interviste për The Jerusalem Post, ku theksoi se urrejtja ndaj hebrenjve nuk është vetëm një problem i një komuniteti të caktuar, por një kërcënim për gjithë njerëzimin.
Duke folur nga Jeruzalemi, në kuadër të një konference ndërkombëtare përkujtimore për Holokaustin, që u mbajt më herët këtë javë, Rama solli në vëmendje historinë unike të Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve dhe paralajmëroi se tolerimi i antisemitizmit hap rrugën për destabilizimin moral të shoqërive moderne.
SHKRIMI I MEDIAS IZRAELITE
Në skenë në Jeruzalem javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i zgjodhi fjalët me kujdes dhe i mori ato nga tradita hebraike.
“Talmudi mëson se kushdo që shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën,” tha Rama në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit “Generation Truth” të organizuar nga Ministria e Çështjeve të Diasporës dhe Luftës kundër Antisemitizmit e Izraelit. Takimi, i mbajtur në Jerusalem për të dytin vit radhazi në përputhje me Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, mblodhi liderë ndërkombëtarë dhe figura të komunitetit hebre për të diskutuar rritjen globale të antisemitizmit.
Antisemitizmi, argumentoi Rama, është “jo thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit.”
Pak orë më vonë, në një intervistë për The Jerusalem Post, ai shpjegoi atë që kishte thënë gjatë fjalimit të tij. “Është për njerëzimin,” tha kryeministri shqiptar. “Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë.”
Paralajmërimi i Ramës, pjesërisht instinkt historik e pjesërisht gjykim politik, qëndron në qendër të marrëdhënies së tij me Izraelin. Qëndrimi i tij për Jeruzalemin nuk është ai diplomatik i zakonshëm, por vjen nga një botë ku ai u rrit duke u mësuar të urrente shtetin hebre.
Historia personale e Ramës nis në Shqipërinë komuniste të izoluar nga bota, ku paranoja ishte politikë shtetërore dhe ku miqtë ishin të rrallë në të dyja anët e Perdes së Hekurt.
“Që kur isha fëmijë, isha i fiksuar pas Jeruzalemit,” i tha ai Post-it. “Jetonim në një vend krejtësisht të izoluar dhe na mësonin se duhej të përgatiteshim për ‘luftën e madhe’, sepse ‘ata’ do të vinin për ne. ‘Ata’ ishin imperialistët amerikanë, imperialistët socialë sovjetikë dhe sionistët izraelitë.”
Jerusalemi, tha ai, vinte përmes dy kanalesh. Njëri ishte versioni i miratuar nga shteti, ku nxënësit lexonin gazetën e Partisë Komuniste me raportime për “sa keq ushtria sioniste vret, plagos ose zhvendos palestinezët.”
Kanali tjetër ishte më privat dhe shumë më i ndaluar nën regjimin e Enver Hoxhës: Bibla e gjyshes së tij, një katolike e devotshme. “Bibla në atë kohë ishte e ndaluar, por ajo kishte një Bibël të vërtetë, ashtu si edhe nëna ime.”
Pas rënies së komunizmit, Rama nuk mund të shkonte menjëherë në Izrael për shkak të mungesës së udhëtimeve ajrore dhe detare. “Por fillova të mësoj shumë më tepër për historinë e Jeruzalemit, dhe kur më në fund arrita të shkoj, dashuria vetëm sa u rrit.”
Pas Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet moderne mes Izraelit dhe Shqipërisë u rindërtuan. Ato u vendosën menjëherë pas themelimit të Izraelit, u ndërprenë për dekada dhe u rivendosën në fillim të viteve ’90. Më pas u hapën ambasada në Tel Aviv dhe Tiranë, dhe bashkëpunimi u zgjerua në ekonomi, kulturë, bujqësi, kibernetikë dhe turizëm.
Në konferencën e Jeruzalemit, Rama riktheu historinë e luftës që është bërë karta morale e Shqipërisë: kodi i nderit i njohur si Besa dhe strehimi i hebrenjve gjatë Holokaustit.
“Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebreje u rrit gjatë luftës,” tha Rama, duke shtuar se Shqipëria i ka dhënë Yad Vashemit mbi 3 mijë e 700 emra hebrenjsh të shpëtuar.
Ai kujtoi se nazistët erdhën në Shqipëri me dy kërkesa: lista hebrenjsh dhe lista ari. Përgjigjja e Shqipërisë ishte e thjeshtë: “Mund të merrni arin e tyre, por jo hebrenjtë tanë. Ari ishte i tyre për ta marrë, hebrenjtë ishin tanët për t’i mbrojtur.”
“Antisemitizmi po rishfaqet hapur dhe pa turp,” tha ai, “shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor, apo edhe më keq, si superioritet moral.”
“Urrejtja nuk fillon me dhunë,” paralajmëroi Rama. “Fillon me gjuhë. Fillon me indiferencë. Fillon me justifikime.”
Ai shtoi se tolerimi i antisemitizmit është si të hapësh një vrimë në strukturën që mban shoqëritë të qëndrueshme: “Fillon e vogël, pastaj bëhet gjithnjë e më e madhe.”
Rama foli edhe për 7 tetorin dhe luftën dyvjeçare që pasoi, duke kundërshtuar perceptimin se Izraeli ka dështuar në “luftën e PR-it” në Perëndim.
“Terrorizmi nuk është perspektivë,” tha ai. “Është thjesht një krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte vrasje masive.”
Ai pranoi vuajtjet palestineze në Gaza si “reale” dhe “me të vërtetë prekëse”, por tha se detyrimet morale në Perëndim kanë ngatërruar të vërtetën për disa.
“Jetojmë në kohë të vështira për të vërtetën, sepse tani opinionet trajtohen si fakte, dhe faktet trajtohen si opinione,” shpjegoi ai. “Është një kaos. Më shumë se kaq, bazuar në besnikëri, njerëzit zgjedhin opinione dhe i marrin si fakte.”
“Është marrëzi të mjegullosh vijat morale ose të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit,” tha Rama. “Paqja nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit.”
Ai theksoi se marrëdhënia e Shqipërisë me Izraelin nuk është thjesht ceremoniale. “Nuk ka pasur asnjë shenjë antisemitizmi ndaj numrit të madh të turistëve hebrenj që vizitojnë Shqipërinë,” tha ai, duke e krahasuar me vende të tjera ku ata janë përballur me armiqësi.
Gjatë vizitës pati edhe momente më të lehta: Kryetari i Knesset-it Amir Ohana i dhuroi Ramës një palë atlete të personalizuara me flamurin shqiptar. Ai zhvilloi takime për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mori duartrokitje në këmbë kur foli në Knesset.
Rama e përmblodhi afërsinë në terma të thjeshtë: “Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është një nder të konsiderohesh mik kaq i afërt i Izraelit.”
Për Izraelin, vizita e Ramës ishte më shumë se një gjest diplomatik. Jeruzalemi ka një aleat të vërtetë tek kryeministri shqiptar, i cili mund të qëndrojë në skenë në kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit dhe të citojë Talmudin. Për Ramën, përgjigjja është e qartë dhe lidhet me idenë e tij themelore për njerëzimin, se nëse lejohet të fillojë me hebrenjtë, së shpejti do të vijë për të gjithë./tvklan.al
Pacolli paralajmëron padi penale në Kosovë, Shqipëri, Emirat...
Kancelari Merz: Ndryshimet globale mund të përshpejtojnë zgj...
Katërshja e UÇK-së në fund të procesit, fillojnë fjalët përf...
Inter vazhdon serinë e fitoreve në Serie A, triumfon si mysa...
Fikrim Damka humb mandatin pas rinumërimit, Pula: Duhet të i...
Të hënën afati i fundit për ankesa në PZAP