Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është pajtuar që të ndalojë sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase për një javë, në kohën kur sulmet e Moskës po bëjnë që Ukraina të përballet me dimrin më të vështirë që nga fillimi i luftës më 2022.
Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës kanë lënë miliona njerëz pa rrymë, ngrohje dhe furnizim me ujë në kohën e acarit të dimrit.
“Për shkak të të ftohtit, të ftohtit ekstrem… unë personalisht i kërkova presidentit Putin të mos sulmojë Kievin dhe qytetet e fshatrat për një javë gjatë kësaj periudhe”, tha Trump në një takim të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
“Është e jashtëzakonshme. Nuk është thjesht ftohtë, është një i ftohtë i jashtëzakonshëm. I ftohtë rekord, edhe atje po ndodh e njëjta gjë, është një mot i keq”, shtoi Trump, duke e krahasuar me temperaturat e ulëta në Uashington.
“Ata kurrë nuk kanë përjetuar një mot kaq të ftohtë. Dhe unë personalisht i kërkova presidentit Putin që të mos qëllojë drejt Kievit dhe qyteteve të ndryshme për një javë. Dhe ai pranoi ta bëjë këtë, dhe duhet t’ju them, ishte shumë gjë e mirë”.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Kremlini, por Trump – takimi i të cilit në Alaskë me liderin rus në gushtin e kaluar përfundoi pa një arritje konkrete – tha se i besonte Putinit se do të respektojë marrëveshjen.
“Duhet t’ju them, njerëzit thoshin, ‘mos humb kohë të zhvillosh bisedë telefonike. Nuk do ta marrësh këtë’. Dhe ai e bëri”, tha Trump.
“Dhe ne jemi shumë të kënaqur që e bënë këtë, sepse mbi të gjitha, ajo që nuk u nevojitet atyre janë raketat që shkojnë drejt qyteteve dhe fshatrave të tyre”.
Agjencia shtetërore e motit e Ukrainës parashikoi të enjten një rënie drastike të temperaturave deri në minus 30 gradë Celsius në ditët e ardhshme, ndërsa autoritetet po përpiqen të rikthejnë shërbimet.
Mbrëmjen e së mërkurës, gjatë një adresimi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për sulme të reja ruse ndaj ndërtesave të energjisë.
Trump shtoi se kishte pasur “shumë përparim” në bisedimet, e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, midis Kievit dhe Moskës për të ndaluar luftën./rel
Kearns kërkon ushtarët britanikë që shpëtuan një vajzë në Ko...
Labinoti: Edhe pse kam kërcyer me këngë të Remzie Osmanit, u...
Dy ekspertë të forenzikës kalojnë me sukses testin ndërkombë...
Pas njoftimit të Trump për armëpushim, reagon Zelensky: Pres...
Gazetari kroat publikoi dokumentin e ri për pjesëmarrjen e V...
Vjedhja e votave, Daka: Asnjëherë s’ka ndodhë në përmasa të ...