Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të kontrabanduara në Pejë e Gjakovë

17:56 | 29 Janar 2026
E.G

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar sot një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve të dyshuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara, me ç’rast janë sekuestruar 988 pako medikamente me vlerë rreth 10 mijë euro.

“Sot, më 29 Janar 2026, në Pejë dhe Gjakovë, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli ndaj disa barnatoreve, për të cilat kishte dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara”, thuhet në njoftim.

Sip as Doganës së Kosovës, në kuadër të aksionit janë angazhuar gjithsej shtatë njësi operative, prej të cilave: një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës; gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës. Gjatë kontrolleve janë evidentuar parregullsi në disa lokacione.

“Gjatë kontrolleve të realizuara në disa lokacione, janë evidentuar parregullsi lidhur me posedimin e medikamenteve pa dokumentacion përkatës dhe pa banderolla fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i këtij aksioni janë sekuestruar 988 pako medikamente, për të cilat vlera e përafërt vlerësohet të jetë rreth 10,000.00 euro.

Dogana e Kosovës thekson se aksioni është zhvilluar sipas procedurave standarde operative.

“Aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe paraqet një tjetër angazhim konkret të Doganës së Kosovës dhe institucioneve partnere në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale