Guardiola falënderon Mourinhon pasi e mposhti Real Madridin: Strategji perfekte

09:50 | 29 Janar 2026
D.H

Benfica mbrëmë shënoi fitore dramatike në Ligën e Kampionëve me rezultat 4-2 meqë rast u kualifikua tutje në rrethin e 1/16 së finales.

Deri në momentet e fundit, portugezët patën epërsinë 3-2, dhe atyre iu duhej një gol tjetër për kualifikim, shkruan Arbresh.info.

Ishte portieri Trubin, i cili shënoi në momentet e fundit. Kjo humbje e la Real Madridin jashtë top 8, duke e kualifikuar Manchester Cityn tutje.

Pas ndeshjes në konferencë për media, Guardiola  u pyet nga gazetarët nëse do e falënderonte Mourinhon, për triumfin ndaj madrilenëve.

“Po, sigurisht”, u përgjigj trajneri spanjoll.

Më tej ai tregoi se si në një moment ai dhe skuadra u shqetësuan kur panë portierin Trubin i cili kishte avancuar tek rasti i golit të katërt të Benficas.

“Nuk e dinim që Benficës i duhej edhe një gol për t’u kualifikuar. Kur pamë portierin të dilte nga porta në minutat e fundit, të gjithë po thoshin: ‘Pse po del?! Qëndro në portë! Madridi mund të barazojë dhe ne do të eliminohemi!’”, ka thënë Guardiola.

Ai pranoi se te City kishte frikë të madhe se Real Madridi mund ta barazonte rezultatin, pasi një barazim do ta linte kampionin anglez jashtë tetëshes së parë dhe do ta detyronte të luante dy ndeshje shtesë.

“Ishte një strategji e mirë nga Jose, apo jo? Të shënohej goli i katërt”, shtoi Guardiola.

Manchester City shumë lehtë mund të përballet me Real Madridin në rrethin e 1/8 së finales nëse madrilenët do ta kalojnë kundërshtarin e tyre në 1/16 e finales.

Shorti për këtë fazë tërhiqet nesër me fillim nga ora 12:00 në Nyon të Zvicrës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale