Barcelona luan për gjithçka ndaj Copenhagenit, Flick me “dhimbje koke” në mesfushë

15:10 | 28 Janar 2026
D.H

Të mërkurën, në stadiumin Spotify Camp Nou, Barcelona luan një ndeshje vendimtare në Ligën e Kampionëve. Skuadra katalanase ka nevojë për fitore dhe sa më shumë gola për të siguruar Top-8-shen dhe kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales, duke shmangur kështu play-off-in, i cili shpesh sjell befasi të pakëndshme.

Trajneri Hansi Flick do ta përgatisë këtë përballje pa dy mungesa shumë të rëndësishme në mesfushë.

Pedri do të mungojë për rreth një muaj për shkak të një lëndimi muskulor, ndërsa Frenkie de Jong është i pezulluar dhe nuk ka të drejtë loje.

Kjo do të thotë se Barcelona humb dyshen e saj kryesore në mesfushë, një kombinim që funksionon në mënyrë perfekte në kontrollin e lojës.

Megjithatë, mungesat nuk përbëjnë dramë totale. Flick ka disa alternativa të vlefshme për të rindërtuar mesfushën. Një opsion do të ishte aktivizimi i Casadós dhe Bernalit në dy-pivot, një kombinim që trajneri gjerman e ka vlerësuar publikisht. Por, duke pasur parasysh minutazhin e kufizuar të Bernalit këtë sezon, kjo zgjidhje duket e rrezikshme për një ndeshje kaq të rëndësishme.

Casadó, në anën tjetër, ka shumë gjasa të jetë titullar.

Pyetja kryesore mbetet se kush do ta shoqërojë Casadón. Duke qenë se Barcelona ka nevojë për gola, Dani Olmo paraqitet si alternativa më ofensive.

Mesfushori nga Terrassa po kalon një formë të shkëlqyer: ka shënuar dhe asistuar ndaj Oviedos, ka gjetur rrjetën edhe kundër Slavia Pragës dhe ka qenë vendimtar në derbin ndaj Espanyolit. Me këtë skemë, Fermín López do të vepronte në rolin e organizatorit ofensiv.

Një tjetër opsion është rikthimi i Eric Garcia në rolin e mesfushorit mbrojtës, pozitë që e ka mbuluar edhe më herët këtë sezon. Por kjo do ta detyronte Flickun të bëjë ndryshime edhe në mbrojtje, ku kohët e fundit ka konsoliduar dyshe të tjera.

Nuk përjashtohet as mundësia që Eric Garcia dhe Olmo të luajnë së bashku në mesfushë, me Casadón që do të niste nga banka rezervë.

Shpërndaje në rrjete sociale