Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar rezolutën H.R. 6411, e cila adreson shkeljet e të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkon përgjegjësi nga Serbia për diskriminimin sistematik ndaj kësaj pakice.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Ai theksoi se miratimi i rezolutës në komitet përfaqëson një momentum të ri në politikën e jashtme të SHBA-së ndaj Ballkanit.
“Ne jemi përpjekur për vite me radhë që ta ndërkombëtarizojmë çështjen e shqiptarëve dhe pozitën tonë aktuale. Pavarësisht se kjo është faza e parë ligjore që ka kaluar në komitet, fakti që rezoluta është votuar nga kongresistë të të dy partive dhe ka kaluar pa asnjë votë na jep shpresë se procedura do të përfundojë plotësisht dhe se mund të bëhet një akt i detyrueshëm”, ka deklaruar Kamberi.
Sipas tij, ky vendim do të ndikojë që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të trajtohet më seriozisht dhe të rikthehet në agjendën politike të Shteteve të Bashkuara, duke përbërë një sinjal pozitiv.
“Kjo nënkupton një punë të madhe dokumentimi të të gjitha shkeljeve, të cilat ne tashmë i kemi adresuar në Kongres, në Senat dhe në Departamentin e Shtetit”, shtoi ai.
Kamberi vlerësoi se që nga përfundimi i konfliktit të UÇPMB-së, ky është hapi i dytë më i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke e cilësuar rezolutën si një akt shpresëdhënës për të ardhmen.
“Kjo shënon fillimin e një rruge që nuk është e shkurtër, një rruge që angazhon politikën e jashtme të SHBA-së të merret drejtpërdrejt me çështjen e të drejtave të pakicave në Ballkan, me theks të veçantë për Luginën e Preshevës. Në anën tjetër, për ne shtohet edhe një obligim tjetër, sepse ndodhemi përballë një situate ku duhet të dokumentojmë me fakte e argumente se pozita e shqiptarëve është diskriminuese”, deklaroi Kamberi për RTK.
E rëndë në Itali, rrëzohet një avion, një i vdekur dhe një i...
Skandaloze, nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Ismail Q...
Parashikimi i motit për nesër: Me vranësira dhe intervale me...
“Erdhi pa shenja jete”, QKUK jep detaje rreth vdekjes së nxë...
Balla ngushëllon familjarët e viktimave të aksidentit në Rum...
Slot: Liverpool po vuan nga mungesa e balancimit