Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po përballet me kritika të forta pas deklaratave të tij përçmuese lidhur me idenë e shkëputjes së Evropës nga mbrojtja e Shteteve të Bashkuara. Ai tha se Bashkimi Evropian nuk mund të mbrohet pa SHBA-në.
“Nëse dikush mendon se Bashkimi Evropian, apo Evropa në tërësi, mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundeni. Nuk mundemi. Kemi nevojë për njëri-tjetrin,” u shpreh Rutte para deputetëve të Parlamentit Evropian.
Sipas tij, vendet evropiane do të duhej të shpenzonin deri në 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje për të kompensuar humbjen e mbështetjes amerikane. “Do t’ju duhej të ndërtonit kapacitete bërthamore tuaja. Kjo kushton miliarda e miliarda euro,” tha ai, duke shtuar se Evropa do ta humbiste “garantuesin përfundimtar të lirisë”, ombrellën bërthamore të SHBA-së.
Deklaratat e Rutte-s u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe nxorën reagime të forta politike. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se fokusi duhet të mbetet në bërjen e Bashkimit Evropian “gjithnjë e më rezistent” dhe “gjithnjë e më të pavarur” në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen.
“Kemi një histori pozitive për të treguar për mënyrën se si kemi arritur të reduktojmë varësinë nga importet e lëndëve djegëse fosile nga Rusia,” tha Pinho, duke shtuar se BE-ja është e angazhuar për të reduktuar varësitë edhe në mbrojtje dhe lëndë të para kritike.
Reagimi më i ashpër erdhi nga Franca. Ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot deklaroi: “Evropianët mund dhe duhet të marrin në dorë sigurinë e tyre. Edhe Shtetet e Bashkuara bien dakord me këtë. Kjo është shtylla evropiane e NATO-s.”
Benjamin Haddad, ministër i deleguar për Çështjet Evropiane, tha se “duhet të shkojmë shumë më tej” dhe se Evropa “nuk ka zgjedhje tjetër”, duke theksuar se “evropianët nuk janë të dobët” dhe se “ne kemi mjetet, ne kemi instrumentet”.
Eurodeputetja franceze Nathalie Loiseau i cilësoi komentet e Rutte-s si “një moment të turpshëm”, ndërsa ish-presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, reagoi duke thënë: “Evropa do ta mbrojë veten. Dhe Donald Trump nuk është babai im.” / Burimi: Euro News
S’u kthye në shtëpi pas shkollës, kërkohet ndihmë për gjetje...
Dita e Holokaustit, Ambasadorja Ziv: Antisemitizmi po rritet...
Cilësia e ajrit në Prishtinë: E moderuar
Balla: Diaspora, jo vetëm vëmendje zgjedhore, por partner st...
Ylli i Barcelonës: Ta krahasosh Yamalin me Messin është një ...
Presidenti iranian: Irani dëshiron të evitojë një luftë, Teh...