Publikohen shifrat, rriten shkëmbimet tregtare Shqipëri-Izrael

15:37 | 27 Janar 2026
E.K

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Izraelit u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2025. Nga import-eksportet, të dy vendet kanë shitur mallra me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se mallrat shqiptare të eksportuara drejt Izraelit arritën vlerën e 10.4 milionë eurove, krahasuar me 4 milionë euro në vitin 2024.

Rritja është e konsiderueshme edhe krahasuar me vitet e mëparshme. Produktet ushqimore, pijet dhe duhani, mineralet dhe lëndët djegëse, si dhe tekstilet dhe këpucët janë grupet kryesore që dominojnë tregtinë me Izraelin.

Nga ana tjetër, importet nga Izraeli mbeten më të larta se eksportet, duke arritur gjatë vitit të kaluar vlerën e rreth 27 milionë eurove.

Investimet midis dy vendeve kanë shënuar gjithashtu një rritje të ndjeshme vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 9-mujorin e vitit 2025, investimet izraelite në Shqipëri arritën rreth 19 milionë euro, një shumë disa herë më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.

Së fundmi, investitorët izraelitë kanë shfaqur interes të shtuar edhe për tregun e pasurive të paluajtshme, një sektor mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit gjatë kësaj periudhe.