Lladrovci në Izrael pritet nga Haim Bibas, gatishmëri për të ndërtuar bashkëpunim me interes të përbashkët

19:31 | 26 Janar 2026
E.G

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, takimet zyrtare në Izrael i ka filluar me homologun e tij, z. Haim Bibas, si dhe mori pjesë në Seancën solemne të Parlamentit izraelit kushtuar kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Postimi i plotë:

Takimet zyrtare i fillova me z. Haim Bibas, Kryetar i Bashkisë së Modi’in-Maccabim-Re’ut, njëherësh Kryetar i Federatës së Autoriteteve Lokale në Izrael që përfaqëson 265 autoritete në tërë vendin, ku theksova mundësitë që i ofron Komuna e Drenasit për investitorët, arritjet dhe sfidat e pushtetit lokal.

Në takim shpreha gatishmërinë për të ndërtuar bashkëpunim me interes të përbashkët, në fushat si pushtetit lokal, bujqësia, kompanitë start-up, teknologjia informative, energjia e ripërtëritshme, planifikimi hapësinor dhe ambienti, etj.

Pas këtij takimi, mora pjesë në seancën solemne të Knesset-it (Parlamentit), kushtuar kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama. Miqësia e dëshmuar e Izraelit në ditët më të rënda për Kosovën, nuk janë për tu harruar. Në Knesset u rikonfirmua miqësia dhe nderimi për shqiptarët, për historinë tonë dhe për besën nga tre krerët më të lartë të Izraelit.

“Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, theksoi Edi Rama mes tjerash në fjalimin e tij që u përshëndet me duartrokitje.

Të mirat dhe solidariteti i ndërsjellë gjatë historisë, janë ura të forta me interes të përbashkët për sot e për nesër!

Shpërndaje në rrjete sociale