Rama me letër të hapur për Kurtin

15:25 | 25 Janar 2026
E.H

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i është drejtuar me një letë të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti e që ka të bëjë me realizimin e unazës së Prishtinës.

“Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës të zhbllokojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme.

Rama thotë se unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

“Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale. Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik”, ka shkruar ndër të tjera Rama në këtë letër të hap;ur.

Ai thotë se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat, siç thotë, deri në 40% janë fonde gran. “Këto fonde janë të kushtëzuara me afate të qarta kohore dhe çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e tyre”, shkroi ai.

Sipas Ramës, ky projekt është i njohur si pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor, çka e bën atë një prioritet strategjik kombëtar, e jo një projekt të nivelit lokal.

“Humbja e mbi 82 milionë eurove grant do të ishte një dëm i madh jo vetëm për Prishtinën, por për Republikën e Kosovës në tërësi, duke dëmtuar gjithashtu kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.

“Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve”, vijoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale