Begaj përkujton 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës: Moment vendimtar për ekzistencën dhe sovranitetin e Shqipërisë

09:54 | 21 Janar 2026
E.G

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, një nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë, ku patriotët shqiptarë, të mbledhur më 21-31 janar të vitit 1920, vulosën aktin e shpëtimit të Shqipërisë nga copëtimi dhe i treguan botës fuqinë e bashkimit dhe të pavarësisë.

Në mesazhin e tij, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar si një nga momentet më vendimtare për ekzistencën, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, presidenti vlerëson se Kongresi i Lushnjës dëshmoi sipas tij pjekurinë politike të shqiptarëve.

“106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnjë në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.

Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.

Nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar!”, shkruan presidenti Begaj.

Teksa Shqipëria kanosej nga copëtimi territorial pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet, u mblodhën më 21 janar të vitit 1920 në Lushnjë, për të mbajtur një kongres kombëtar.

Në ditën e fundit të punimeve, Kongresi emëroi kabinetin e qeverisë, me kryeministër Sulejman Delvinën, si dhe zgjodhi anëtarët e Senatit.

Në kongres ishin pjesëmarrës figura të shquara si Aqif Pashë Elbasani, Shefqet Daiu, Ahmet Zogolli dhe Mytezim Këlliçi.

Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar./rtsh.al/