Zelensky i dorëzon Spiropalit Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I

17:58 | 15 Janar 2026
E.G

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i dorëzoi sot ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të Ukrainës.

Ky nderim iu akordua Spiropalit për kontributin e saj të veçantë në mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, gjatë periudhës kur ajo mbajti detyrën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë (2024–2025).

Dekreti presidencial u shoqërua me motivacionin, “Për kontributin e çmuar personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe për veprimtarinë e saj bamirëse në shërbim të shtetit ukrainas.”

Duke marrë dekoratën, Spiropali theksoi se ky nderim nuk i përket vetëm një individi, por është një pasqyrim i qëndrimit të Shqipërisë dhe të çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë.

“Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj. Ajo po mbron ndërgjegjen e Europës. Në qytetet e saj të bombarduara, në rezistencën e popullit të saj, po shkruhet nëse kontinenti ynë do të jetojë në paqe dhe drejtësi, apo nën frikë dhe forcë.”

Spiropali vlerësoi simbolikën e dekoratës, duke kujtuar figurën e Princeshës Olga, një grua që udhëhoqi me dinjitet në kohë të vështira:

“Ta marr sot këtë urdhër, në mes të një lufte për mbijetesë dhe liri, është një përgjegjësi morale po aq sa një nder. Shqipëria qëndron me Ukrainën, jo nga protokolli, por nga bindja. Sepse historia na ka mësuar se liria nuk ruhet duke heshtur, por duke qëndruar drejt, edhe kur kjo ka kosto. Ukraina sot po e mban këtë vijë për të gjithë ne.”

Duke iu drejtuar Presidentit Zelensky, Spiropali e cilësoi këtë dekoratë si një nga nderimet më të mëdha të jetës së saj publike:

“Nuk e konsideroj këtë vetëm si një shenjë nderimi dhe një vlerësimi të madh për mua personalisht, por edhe si një dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera mes kombeve, qeverive dhe popujve tanë, veçanërisht në kohë sfiduese. Ne lutemi për paqe, për Shqipërinë dhe për Ukrainën.”