Top dhjetë produktet më të importuara dhe eksportuara në 2025

20:26 | 13 Janar 2026
R J

Veturat dhe derivatet vazhdojnë të kryesojnë listën e produkteve më të importuara në Kosovë gjatë vitit 2025, ndërsa energjia elektrike dhe plastika renditen ndër eksportet kryesore.

Importet më të mëdha përfshijnë veturat me vlerë rreth 651 milionë euro, të ndjekura nga derivatet me 560 milionë euro dhe energjia elektrike me 259 milionë euro, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, referuar në statistikat e Doganës së Kosovës.

Kështu, në mesin e produkteve më të importuara janë gjithashtu cigarja, shufrat prej çeliku, medikamentet, pijet joalkoolike, çimentoja, ëmbëlsirat dhe gjedhët.

Në anën tjetër, eksportet dominohen nga energjia elektrike me rreth 55 milionë euro, plastika me 56 milionë euro dhe pijet joalkoolike me 54 milionë euro. Produkte të tjera të rëndësishme të eksportit përfshijnë mobiliet, konstruksionet e çelikut, tubat e çelikut, kostumet për gra, dyshekët, mbetjet e skrapit dhe veshjet e tekstilit.

Instituti GAP sqaron se të dhënat për energjinë elektrike të raportuara nga Dogana mund të përfshijnë edhe energjinë që kalon nëpër Kosovë si tranzit. Të dhënat nxjerrin në pah vazhdimin e deficitit tregtar dhe varësinë e Kosovës nga importi i mallrave me vlerë të lartë.

Kosova po vazhdon të thellojë varësinë e saj nga mallrat e importuara, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel tejet të lartë, raporton KosovaPress.

Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro gjatë vitit 2025, sipas Institutit GAP, referuar Doganës së Kosovës. Megjithatë vlera e mallrave të eksportuara ishte më pak se 1 miliard euro (929 milionë euro eksportet).

Top dhjetë produktet më të importuara dhe eksportuara në 2025 (GAP):