Qytetari nga Ferizaj gjen çantën me para e dokumente personale, e dorëzon në polici

10:30 | 2 Janar 2026
Q L

Një veprim shembullor qytetarie është regjistruar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një çantë të humbur dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 1 janar 2026 rreth orës 21:00, qytetari D. Mehmetaj është paraqitur në stacionin policor të Ferizajt, duke raportuar se rreth orës 20:30 kishte gjetur një çantë në rrugën “Zenel Hajdini”.

Në prani të zyrtarëve policorë është kryer kontrolli i çantës, ku janë gjetur një patentë shoferi, kartëmonedha në vlerë prej 350 euro, rreth 3 euro para metalike, si dhe gjësende të tjera personale.

Pas verifikimeve të nevojshme, Policia ka identifikuar pronaren e çantës, znj. L. M., e cila është njoftuar dhe rreth orës 21:20 është paraqitur në stacionin policor për të marrë sendet e saj.