Komuna e Fushë Kosovës anulon vendimin për shpronësim të pronave

15:36 | 26 Dhjetor 2025
A Z

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka anuluar në tërësi Vendimin nr. 641, datë 14.06.2023, që kishte të bënte me kompensimin e shpronësimit të pronave private përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit.

Në njoftimin e Komunës së Fushë Kosovës, thuhet se pas rishqyrtimit ligjor dhe administrativ, është konstatuar se këto akte nuk kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Me anulimin e këtij vendimi, anulohen gjithashtu të gjitha veprimet juridike të ndërmarra në zbatim të tij, si dhe të gjitha pasojat juridike që kanë rrjedhur nga zbatimi i tij”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është vlerësuar se kjo formë kompensimi nuk përputhet plotësisht me parimet ligjore të shpronësimit.

“Ky zhvillim nënvizon rëndësinë e vendimmarrjes së qëndrueshme, transparente dhe në përputhje me ligjin, si dhe nevojën për balancim të drejtë ndërmjet zhvillimit urban, interesit publik dhe të drejtave të pronarëve”, thuhet tutje në njoftim.