Ademi në ceremoninë e “Laureatëve të Vitit 2025”: Viti 2025 ishte vit i suksesshëm

19:07 | 21 Dhjetor 2025
D.H

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ceremoninë ‘Laureatët e Vitit 2025’, është shprehur i kënaqur me punën, rezultatet dhe të arriturat në vitin që po e lëmë pas.

Gjatë gala mbrëmjes së sotme në fjali raste ai foli për të gjitha ta arriturat që ka pasur futbolli në Kosovë përgjatë 2025-të, duke e cilësuar si një vit të suksesshëm, shkruan Arbresh.info.

“Investimet në infrastrukturë nuk kanë ndalur. Çdo 45 ditë po përfundojmë nga një fushë futbolli, ndërsa Kampi Nacional në Leposaviq është një projekt i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit tonë,” ka deklaruar Ademi.

Më tej ai ka njoftuar gjithashtu se në muajin janar do të nisë puna për themelimin e Akademisë së FIFA-s në Kosovë, ku do të përgatiten talentët më të mirë të vendit.

“Në këtë akademi do të zhvillohen dhe përgatiten talentët tanë më të mirë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për futbollin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Duke folur për garat evropiane, Ademi vlerësoi lart sukseset e Dritës, duke i cilësuar ato si të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi faktin se Kosova tashmë ka katër ekipe që përfaqësojnë vendin në Evropë çdo vit.

“Fati deshi që Drita të sigurojë fazën e grupeve dhe shpresojmë që të shkojë sa më larg në garat evropiane,” u shpreh ai.

Ademi theksoi edhe avancimin në digjitalizim, duke bërë të ditur se FFK është ndër federatat e pakta në Evropë që ka përfunduar këtë proces.

“Federata e Futbollit të Kosovës është e digjitalizuar plotësisht. Vetëm ne dhe Federata Shqiptare e Futbollit e kemi të përfunduar këtë proces,” ka thënë Ademi.

Sa i përket infrastrukturës së stadiumeve, ai njoftoi se punimet po vazhdojnë në stadiumin “Adem Jashari”, si dhe në Drenas.

Në fund, presidenti i FFK-së foli edhe për Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se janë edhe dy hapa të rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Shpërndaje në rrjete sociale