Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.
Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.
Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.
“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.
Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.
“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.
Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.
Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.
“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.
“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.
Kosova dhe NATO: loja mbyllet
Një element kyç i propozimit është se Kosovës do t’i ofrohej rruga drejt NATO-s, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.
“Në momentin që Kosova ka një rrugë drejt NATO-s, strategjia serbe e bllokimit diplomatik bie. Loja praktikisht mbaron,” theksoi Joseph.
Ai shtoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, duke e krahasuar situatën me përvojën e Ukrainës.
Në lidhje me Ukrainën, Joseph propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila la qëllimisht të hapur çështjen e statusit të Kosovës.
“Modeli i Kosovës e heq sovranitetin nga tryeza e menjëhershme dhe krijon hapësirë për negociata reale,” shpjegoi ai.
Sipas tij, kjo do t’i lejonte Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos “dorëzojë territor”, por ta vendosë Donbasin nën administrim ndërkombëtar, me trupa paqeruajtëse dhe referendum final.
“Ironia është se vetë Putini këmbëngul se Kosova dhe Ukraina janë absolutisht të njëjta. Pikërisht këtë argument mund ta përdorë Perëndimi kundër tij,” tha Joseph.
Joseph paralajmëroi se nëse Ballkani nuk stabilizohet, Evropa do të mbetet e cenueshme ndaj ndërhyrjeve autoritare.
“Nëse e hiqni partneritetin strategjik Rusi–Serbi, arkitektura e luftës hibride ruse shembet,” theksoi ai.
Ai bëri thirrje për masa të menjëhershme, përfshirë sanksione ndaj RT dhe Sputnik, mbylljen e qendrave ruse të inteligjencës dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik të rajonit./TheGeoPost.
Rreth 2.000 qytetarë të regjistruar si votues me postë ende ...
Ylli fiton në kryeqytet ndaj Borës
Mevlan Zeka i reagon publikisht FFK-së pasi ai nuk u shpall ...
Kurti: Nga 11 terminale doganore vetëm 1 ishte shtetërore, s...
FFK-ja zbulon “Formacionin e Vitit 2025”, dominohet nga futb...
Alarm në trafik: 101 viktima nga aksidentet rrugore