Përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti, Katari dhe Turqia u takuan në Miami të Floridës për të diskutuar hapat e ardhshëm në planin e paqes për Rripin e Gazës, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, sipas “TRT World”.
Takimi u fokusua në vlerësimin e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, e cila parashikonte kthimin e pengjeve të gjalla dhe dorëzimin e trupave, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli, si dhe në përgatitjet për nisjen e fazës së dytë të planit
Në një postim në X, Witkoff tha se të gjitha palët kishin rikonfirmuar angazhimin e tyre për të zbatuar planin e paqes prej 20-pikash të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Ne vazhduam diskutimet mbi hapat e ardhshëm për zbatimin gradual të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën. Konsultimet e mëtejshme do të vazhdojnë në javët e ardhshme për të avancuar në fazën e dytë”, thuhet në deklaratë.
Katër ndërmjetësuesit dhe garantuesit i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të respektonin angazhimet e tyre dhe të tregonin vetëpërmbajtje.
Faza e dytë e planit kërkon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga territori, krijimin e një autoriteti qeverisës të përkohshëm dhe dislokimin e një force ndërkombëtare.
Ndërkohë, armëpushimi në Gaza mbetet i brishtë, pasi Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.
“Gjashtë persona u vranë të premten në një sulm izraelit ndaj një shkolle të shndërruar në një strehë për personat e zhvendosur”, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raportoi se të paktën 401 palestinezë ishin vrarë nga sumet izraelite – që kur armëpushimi kishte hyrë në fuqi.
Tre ushtarë izraelitë janë vrarë gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë./atsh
Hamza nga Prizreni: Me qeverisjen time, një fillim i ri për ...
Barça e mbyll vitin me fitore, triumfon në udhëtim tek Villa...
Zarf gri në shtëpi! Çfarë pritet të ndodhë?
Duka në ceremoninë e “Laureatëve të Vitit”: Kemi pasur një v...
Haradinaj në Istog, prezanton planin katërvjeçar për të ardh...
Real Madridi i del në mbrojtje Vinit, pas fishkëllimave që m...