Angli- Trafik emigrantësh dhe kokaine, shqiptari Ibrahim Sollaku pranon fajin para gjykatës

21:00 | 16 Dhjetor 2025
E.G

Një 33-vjeçar shqiptar, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, ka pranuar akuzat për organizimin e trafikut të klandestinëve dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Ibrahim Sollaku, me banim në Wilton Avenue, Southampton, doli para Gjykatës së Kurorës në Winchester, ku u deklarua fajtor për konspiracion në ndihmë të emigracionit të paligjshëm, si dhe për posedim kokaine me qëllim shitje.

“Arrestimi i Sollakut u bë më 5 nëntor në Bournemouth, pas një hetimi të koordinuar mes Njësisë Rajonale Kundër Krimit të Organizuar Jugperëndimor (SWROCU) në Angli dhe autoriteteve policore në Belgjikë.”, raporton BBC.

Në të njëjtën kohë që Sollaku u prangos në Angli, oficerët belgë ndërmorën një aksion paralel, duke arrestuar një tjetër të dyshuar dhe duke ndaluar pesë shtetas shqiptarë. Këta të fundit ishin përgatitur për t’u futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar përmes një kamioni, një tentativë që dyshohet se ishte orkestruar nga Sollaku.

Drogë në banesë

Përveç akuzës së trafikut të qenieve njerëzore, shqiptari do të përballet edhe me akuzën për trafik droge. Gjatë kontrollit në banesën e tij, agjentët e SWROCU zbuluan dhe sekuestruan më shumë se 90 doza kokaine, të bëra gati për t’u shitur në tregun e pakicës.

Inspektori i Detektivëve, Adam Smith, komentoi pas seancës gjyqësore rrezikshmërinë e këtyre rrjeteve: “Kriminelë si Sollaku kërkojnë të fitojnë shuma të mëdha duke lehtësuar udhëtimet e paligjshme. Çmimet e larta që ata vendosin shpesh shërbejnë për të financuar dhe forcuar rrjetet e tyre kriminale, duke shkaktuar dëme të mëtejshme në komunitetet tona, zakonisht përmes furnizimit me drogë dhe shfrytëzimit të njerëzve vulnerabël.”

Pas pranimit të fajësisë, gjykata caktoi datën 15 janar 2026 për dhënien e dënimit përfundimtar për Ibrahim Sollakun.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua edhe një shtetas tjetër 55-vjeçar nga Bournemouth, i cili për momentin po hetohet në gjendje të lirë.

/rtsh.al/

Të ngjashme