Gjermania ka kritikuar ashpër dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare të administratës amerikane për pretendimin se Evropa censuron fjalën e lirë dhe shtyp opozitën politike.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul i hodhi poshtë akuzat në një konferencë për media në Berlin, duke argumentuar se evropianët, veçanërisht gjermanët, nuk kanë nevojë për këshilla nga administrata e presidentit Donald Trump për çështjet e demokracive dhe lirive.
“NATO është aleancë vlerash, sigurisht. Çështje të tjera mund të diskutohen këtu, por çështjet e lirisë së shprehjes dhe mënyra se si i organizojmë shoqëritë tona të lira, veçanërisht në Gjermani, nuk përkasin këtu”, u tha Wadephul gazetarëve.
“Ne nuk besojmë se dikush duhet të na japë këshilla për këto. Në vend të kësaj, këto janë të organizuara nga rendi ynë kushtetues, i cili jo vetëm garanton ndarjen e pushteteve, ekzekutivin, legjislaturën dhe gjyqësorin, por gjithashtu, me të drejtë, një media të lirë”, tha ministri.
Dje, administrata e presidentit Trump publikoi dokumentin e saj të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, duke përshkruar prioritetet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes. Dokumenti prej 33 faqesh përfshinte vëzhgime të diskutueshme rreth Evropës, duke pretenduar se rënia ekonomike e kontinentit është eklipsuar nga “perspektiva reale dhe më e zymtë e zhdukjes së qytetërimit” brenda 20 viteve të ardhshme.
“Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e BE-së dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikte, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindjeve dhe humbjen e identiteteve dhe vetëbesimit kombëtar”, tha dokumenti.
Kishin urdhërarrest aktiv, kapen të dyshuarit nga policia në...
The Geopost: Policia sekuestron 156 kilogramë eksploziv në Z...
Kurti bashkëbisedoi me studentë ndërkombëtarë të programit e...
Sulmi me molotovë ndaj Kryeministrisë në Shqipëri, lëndohen ...
Manchester City rikthehet te fitorja
Bisedimet trepalëshe në Abu Dabi përfunduan pa marrëveshje