Avokati i Popullit ka thënë se vendimi për mos certifikimin e Listës Serbe nga ana e KQZ-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, është pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.
“Avokati i Popullit mirëpret reagimet e akterëve vendorë dhje ndërkombëtarë, të cilët theksuan se moscertifikimi arbitrar i një subjekti politik cenon të drejtat e njeriut, besimin në procesin zgjedhor dhe parimin e gjithëpërfshirjes”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej ky institucion kërkon nga organet kompetente ta shqyrtojnë këtë vendim dhe të veprojnë në përputhje me parimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe vlerave të shoqërisë demokratike.
“E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përbën një nga shtyllat themelore të demokracisë. Në këtë kuadër, shteti ka detyrimin pozitiv të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë garuesit politikë, duke garantuar që çdo kufizim të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj. Prandaj, çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon këtë të drejtë dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor”, vazhdon komunikata.
Dje KQZ në mbledhjen e anëtarëve me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime vendosi kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor.
Kjo shkaktoi reagimin e shumë institucioneve, duke përfshirë edhe zyrën e BE-së në Kosovë, ambasadën amerikane dhe gjermane.
Dy të arrestuar pas hedhjes së eksplozivit pranë shtëpisë së...
Çmimet e banesave në Prishtinë kanë shënuar ngritje
Sulmi izraelit vret gjashtë palestinezë në Gaza
Çfarë pas luftës në Iran, cilët janë skenarët e mundshëm?
Moti me shi sot në Shqipëri
Kurti sot merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gr...