Nga i preferuari te më pak e votuara: Nata që i vendosi pikat mbi “i” në BBVK

08:02 | 2 Dhjetor 2025
E.H

Mbrëmja e Prime-it të pestë në “Big Brother VIP Kosov”a 4 solli tensione, deklarata të forta, emocione nga familjarët dhe një super-transferim ndërkombëtar.

Prime-i nisi me tension kur Klodi dhe Shkurta u përplasën verbalisht.

Klodi e akuzoi Shkurtën se qëndron vetëm me disa banorë të caktuar që prej debatit të saj me Labin, ndërsa reagimi i Shkurtës u bë menjëherë momenti më i komentuar.

“S’po të vet kush, as dajt ka i ke”. Debati u zgjat me argumente të tjera nga Klodi, duke e bërë këtë përballje një nga hapjet më të forta të mbrëmjes.

Tensioni kaloi shpejt në një tjetër debat kur në fokus u vu raporti mes Toneyt dhe Bia Khalifës.

Teksa po flitej për marrëdhënien e tyre, Toney rrëshqiti në deklaratë duke thënë “gjatë lidhjes tonë”, frazë që u interpretua menjëherë si pranim i një raporti më serioz sesa ai që ai kishte pohuar më parë.

Por pak minuta më vonë, situata mori tjetër drejtim kur në shtëpi hyri babai i Toneyt me një mesazh të prerë për të birin, përcjell Klankosova.tv.

Ai tha se familja nuk e pranon një lidhje me Bian dhe se Toney, sipas tij, nuk është i asaj kategorie.

Madje, ai e shtyu të birin të afrohej me Elijonën, duke theksuar se në dashni moshë nuk ka.

Nuk mungoi menjëherë reagimi i Bias, e cila tha se qëndrimi i tij ishte i ekzagjeruar dhe se nëse ai do ta kishte edukuar djalin siç duhet, nuk do të ishte këtu.

Mes debateve, Prime-i solli edhe momente të ngrohta emocionale, kur Nailiri i hapi zemrën “Vëllait të Madh” duke treguar për një rini problematike, sherret dhe rritjen nën rregulla të rrepta.

Ai u shpreh se pas shumë vitesh të vështira, më në fund ndihet krenar për veten.

Këtë emocion e forcoi edhe mesazhi i babait të tij, i cili i tha se është krenar dhe i kërkoi të vazhdojë të jetë vetvetja.

Por pjesa më surprizuese e mbrëmjes ishte largimi i përkohshëm i Dolces nga BBVK dhe nisja e rrugëtimit të saj në Grande Fratello.

Edhe pse publiku tashmë e di se ajo është në Itali, banorët brenda shtëpisë, sidomos Edi, vazhdojnë të besojnë se ajo ka dalë përfundimisht.

Edi, i mërzitur gjatë gjithë javës, e pranoi se mungesa e saj po e rëndon shumë dhe kërkoi nga “Vëllai i Madh” të hapet një televotim për ta kthyer Dolcen në shtëpi, pa e ditur se ajo është pjesë e një aventure tjetër televizive.

Në fund të mbrëmjes, televotimi nxori Londrimin si banorin më të preferuar të publikut, mdërkohë, Hygerta u shpall banorja më pak e preferuar, diçka që ajo tha se nuk e kishte pritur.

Prime-i i pestë përmbylli një natë të mbushur me përplasje, emocione familjare dhe një mister që pritet të dominojë ditët në vazhdim, kur do të rikthehet Dolce në shtëpi dhe si do të përballet Edi me të vërtetën për vendndodhjen e saj?

Shpërndaje në rrjete sociale