Juventus fiton me vështirësi në udhëtim tek Bodo/Glimti

23:07 | 25 Nëntor 2025
D.H

Juventusi ka regjistruar fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke triumfuar me përmbysje 3-2 në një ndeshje dramatike dhe emocionale kundër Bodo/Glimt në xhiron e pestë të fazës së ligës.

Bardhezinjtë vuajtën, rrezikuan dhe shpëtuan nga disa ndërhyrje të mëdha të portierit kundërshtar, por në fund treguan karakter dhe arritën tre pikë jetike.

Skuadra norvegjeze e nisi më mirë ndeshjen, duke e vendosur Juventusin nën presion të vazhdueshëm. Në minutën e 27-të, pas një goditjeje këndi, Hogh devijoi topin me kokë te Ole Blomberg, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 1-0, duke shpërthyer atmosferën në stadium.

Juventusi reagoi me dy raste të mira për Francisco Conceiçãon dhe Vasilije Adzic, por portieri Nikita Haikin u tregua i pakalueshëm, duke i mbajtur vendasit në epërsi deri në pushim.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime të Spallettit dhe menjëherë Juventus e gjeti barazimin në minutën e 48-të. Lois Openda reagoi më së miri ndaj një topi të kthyer dhe goditi saktë në këndin e djathtë për 1-1.

Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 54-t, Juventusi shënoi sërish me Fabio Mirettin, i cili finalizoi nga afërsia pas një kombinimi të bukur. Por gëzimi nuk zgjati shumë – VAR ndërhyri dhe goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Juventusi nuk u ndal dhe në minutën e 59-të, Weston McKennie shfrytëzoi një asistim të shkëlqyer të Mirettit për të realizuar me kokë dhe për të rikthyer epërsinë, kësaj radhe pa pengesa nga VAR-i për 2-1.

Në minutën e 84-t, Juan Cabal shkaktoi një penallti të panevojshme, të cilën Sondre Fet e shndërroi me qetësi për 2-2. Fillimisht u duk se nuk kishte prekje, por pas rishikimit të VAR-it, gjyqtari Makkelie e konfirmoi vendimin.

Ndeshja shpërtheu në tension dhe emocione, por Juventus arriti të godasë në momentin vendimtar. Në minutën e 90+1, pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë, topi u devijua dhe përfundoi te Jonathan David, i cili e shtyu në rrjetë për 3-2, duke rikthyer epërsinë e bardhezinjve.

Në minutat e fundit, Juventus mund të kishte shënuar golin e katërt me Edon Zhegrovën, por portieri Haikin realizoi një super pritje, duke mbajtur të gjallë shpresat e vendasve deri në sekondat e fundit.

Me këtë triumf, Juventusi siguron fitoren e parë në grupe dhe tani me 6 pikë është në vendin e 21-të.

Shpërndaje në rrjete sociale