Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, zëdhënësja Angela Griep ka treguar për zhvillimet që e kanë karakterizuar gjatë kësaj jave këtë institucion të drejtësisë.
Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Griep ka treguar se në konferencën për ecurinë e rastit të mbajtur me 19 nëntor 2025, janë pranuar në prova materiale dy transkripte të seancave të mbajtura në Kongresin amerikan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Trupi gjykues sqaroi se seancat në fjalë nuk ishin të llojit juridik dhe, për këtë arsye, nuk është e nevojshme që transkriptet të trajtohen sipas rregullave të Rregullores mbi deklaratat me shkrim të dëshmitarëve. Gjithashtu, trupi gjykues pranoi prova materiale të paraqitura nga Prokuroria, duke vënë në dukje se për to nuk pati kundërshtime nga pala tjetër apo mbrojtja e viktimave”, tha Griep.
Ajo tha se gjatë kësaj seance trupi gjykues ka njoftuar se nuk do të thërrasë dëshmitarë dhe synon që ta mbyll procedurën e paraqitjes së provave rreth datës 4 dhjetor, ku vendimi për këtë do të bëhet publik por jo në seancë të hapur.
Zëdhënësja tregoi se më 18 nëntor 2025 është vazhduar paraburgimi për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Sipas saj, u konstatua se për tre të akuzuarit ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat dhe të kryejnë krime të tjera, duke shtuar se në Kosovë ekziston një frymë e intimidimit të dëshmitarëve.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ajo tregoi se pasi çështja ishte bërë gati që të kalohet trupit gjykues, Christopher Gosnell është caktuar si gjyqtari i vetëm në këtë rast.
Ndryshe, Griep tregoi se në këtë rast synohet që në javën që fillon më 15 dhjetor të fillojë gjykimi.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...
Policia ndalon një automjet në Çagllavicë, kapet kosovari dh...
Gruaja e lënduar dërgohet dy herë në spitalin e Mitrovicës d...
Dita e ndeshjes: Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e ...
SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4...
Një i vdekur, 24 të lënduar dhe 2,147 tiketa të shqiptuara n...