Pasojat e ndryshimeve klimatike kanë detyruar tashmë miliona njerëz në mbarë botën të braktisin shtëpitë e tyre, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në prag të Konferencës së 30-të vjetore të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që nisi dje në Brazil.
“Sipas të dhënave të dekadës së fundit, fatkeqësitë e lidhura me motin kanë shkaktuar rreth 250 milionë zhvendosje të brendshme që do të thotë mbi 67 mijë zhvendosje çdo ditë”, thuhet në raportin e UNHCR-së të publikuar sot.
Organizata flet për një “rreth vicioz” midis konflikteve dhe krizave klimatike. Tre të katërtat e njerëzve të zhvendosur për shkak të konflikteve jetojnë në vende veçanërisht të cenueshme nga pasojat e ndryshimeve klimatike
Në raport përmenden, ndër të tjera, përmbytjet në Sudanin e Jugut dhe Brazil, valët rekord të të nxehtit në Kenia dhe Pakistan, si dhe mungesa e ujit në Çad dhe Etiopi.
“Ndryshimet klimatike po përkeqësojnë dhe shumëfishojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit tashmë të zhvendosur dhe komunitetet pritëse, veçanërisht në zonat e brishta dhe të prekura nga konfliktet”, thekson raporti.
Sipas UNHCR-së, vetëm një e katërta e fondeve të destinuara për përshtatjen ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike arrijnë në vendet e rrezikuara nga konfliktet, vende që shpesh strehojnë edhe numër të madh refugjatësh.
Samiti vjetor i klimës së OKB-së, i njohur si “COP30”, shërben shpesh si platformë për vendet e varfra që të kërkojnë më shumë fonde nga vendet e pasura për t’u përshtatur me kushtet klimatike gjithnjë e më të ashpra.
“Nëse duam stabilitet, duhet të investojmë aty ku njerëzit janë më të rrezikuar”, deklaroi shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi.
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...
Berisha pyetet për ish-krerët e UÇK-së: Zotëri unë jam kosov...
Risitë kryesore që priten në iPhone 18 – çfarë po plan...
Inteligjenca gjermane hetoi dronët misterioz, gjurmët i dërg...
Hyundai zbulon robotin MobED me AI për të lëvizur me stabili...