Përleshje para klubit Rinora4 në Zvicër: Kosovari që punonte si sigurim theret me thikë, disa të tjerë mbeten të plagosur

11:52 | 8 Nëntor 2025
E.K

Një incident i rëndë ka ndodhur të shtunën mbrëma para klubit “Rinora4” në Rümlang, afër Cyrihut, ku një punëtor sigurie 34-vjeçar me origjinë nga Kosova është therur me thikë dhe është dërguar me plagë në spital.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari për sulmin është një 26-vjeçar kosovar, i cili është arrestuar në kantonin Aargau.

Pamjet e publikuara nga portali “20 Minuten” tregojnë se ngjarja është paraprirë nga një përleshje mes rojeve të sigurimit të klubit dhe disa klientëve. Në video shihet se të paktën pesë punonjës sigurie godasin me grushta një grup festuesish, ndërsa dy prej tyre bien në tokë – njëri prej tyre përplaset me kokë në trotuar dhe humb ndjenjat.

Sipas dëshmive të të pranishmëve, gjithçka nisi kur një person nga grupi i klientëve u përjashtua nga klubi pasi kishte konsumuar shumë alkool. Kur miqtë e tij dolën jashtë për ta ndihmuar, sigurimi – sipas tyre – përdori sprej lotsjellës dhe dhunë fizike.

“Sigurimi u hodh menjëherë mbi ne me sprej dhe grushta. Njëri nga miqtë tanë përfundoi me shtatë qepje në kokë,” ka deklaruar njëri nga dëshmitarët për median zvicerane, duke shtuar se disa persona nga grupi i tyre do të paraqesin padi për lëndime trupore.

Drejtori i klubit, Shaban Konxheli, ka thënë se nuk ka qenë në vendngjarje në momentin e incidentit dhe se sigurimi i klubit është i kontraktuar nga një kompani e jashtme, SN Security GmbH, e cila nuk ka komentuar ende për rastin.

Policia zvicerane ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve të përfshira.