Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se në bazë të informacioneve që ka, qytetari serb në Leposaviq, që autoritetet thanë se u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe – u sulmua sepse “është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se M.V., shtetas i Kosovës, dyshohet se më 1 nëntor u plagos dhe u rrëmbye në territorin e Kosovës në brezin kufitar me Serbinë, duke shtuar se sipas dëshmitarëve ai është transportuar më pas në një spital në Nish.
Kurti tha se sipas informacioneve, ky rast ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
“Është e qartë që fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe destabilizimin e Kosovës. Por, unë jam i bindur që me organet tona të sigurisë dhe inteligjencës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ajo do të dështojë në këto dy fronte”, tha Kurti gjatë një konference për media më 4 nëntor, kur u pyet për këtë çështje.
Ai kërkoi mbështetje nga faktori ndërkombëtar për Kosovën, por edhe “dënim të atyre që urdhërojnë dhe ekzekutojnë veprime të tilla kriminale, me tendencë destabilizuese”.
Kurti tha se që kur ka ndodhur ngjarja, Policia, me ndihmën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndodhet në vendngjarje dhe po kryejnë hetime.
Dyshohet se vendi i ngjarjes ndodhet në territorin e Kosovës, përkatësisht brenda zonës së quajtur “pika zero”, pranë zonës së Leposaviqit./Arbresh.info
Nesër seanca gjyqësore për vrasjen e Auron Thaqit
Parashikimi i motit për të enjten
Kosovari shpëton 71-vjeçarin nga lumi Aare në Zvicër, në mom...
Nagavci për LDK-në: Nuk i kanë nxjerrë nënshkrimet për Osman...
Tjetër ultimatum nga Trump: Irani, një javë kohë për të arri...
50 mijë euro gjoba për mjedis, në 5 muajt e parë të këtij vi...